Ndërlidhjet

Afera e përgjimeve, ende asnjë akuzë ndaj zyrtarëve


Nikolla Gruevski
Nikolla Gruevski

Prokuroria Speciale ka vazhduar me hetimin e personave të dyshuar për vepra të ndryshme penale, nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, por edhe gati një vit nga themelimi i këtij institucioni nga Kuvendi i Maqedonisë, në shtator të vitit të kaluar, nuk është zyrtarizuar as edhe një padi penale ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve që janë objekt i hetimeve të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe, procedura para hetimore dhe hetimore janë ngritur kundër dhjetëra personaliteteve publike, përfshirë ish kryeministrin Nikolla Gruevski, ish ministrat Gordana Jankullovska e Mile Janakievski, kundër ish drejtorit të drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijalkov, si dhe kundër shumë funksionarëve të tjerë.

Prokuroria ka kërkuar masa të ndryshme sigurie ndaj këtyre personave, që nga marrja e dokumenteve të udhëtimit, e deri tek masa e paraburgimit, por kërkesat e tilla janë refuzuar nga gjykatat, duke e bërë jo efektive punën e prokurorisë.

Ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, së fundi u paraqit para hetuesve të Prokurorisë Speciale, por procedimi nuk nisi, meqë ajo kërkoi kohë që të njihet me dëshmitë me të cilat disponon prokuroria. Para këtij organi të akuzës janë paraqitur edhe funksionarë të tjerë, por të gjithë përmes formave të ndryshme i janë shmangur proceseve hetuese.

Nga prokuroria nuk dëshirojnë të komentojnë asgjë për media, duke theksuar se puna e tyre nuk do të ndërpritet, përkundër pengesave që mund të hasin gjatë procedimit të rasteve. Njohësit e çështjeve juridike thonë se pengesat e ndryshme kanë bërë që puna e këtij organi të mos jetë sipas pritjeve të opinionit më të gjerë.

“Janë evidente obstruksionet që i bën gjatë gjithë kohës pushteti në raport me punën e Prokurorisë Speciale, duke filluar nga institucionet të cilat refuzojnë të japin qoftë edhe një dëshmi për personat që po hetohen, pastaj trajtimin e dëshmitarëve, refuzimin që i bëjnë gjykatat masave të kërkuara për personat e dyshuara, e kështu me radhë.”

“Pra, kemi të bëjnë me një bllokim të organizuar mirë që puna e prokurorisë të pengohet me të gjitha format e mundshme”, thotë Margarita Caca Nikollovska, ish gjykatëse në Gjykatën evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Por, nga partia në pushtet që udhëhiqet nga Nikolla Gruevski, njëri nga të dyshuarit për vepra të ndryshme, thonë se akuzat e prokurorisë speciale janë të pabaza dhe të sajuara nga opozita.

“Këtë që po e bën prokurorja speciale Katica Janeva paraqet një cirk të thjeshtë politikeqë nuk ka as shkronjën “D” nga drejtësia. Po shkelen të gjitha normat ligjore, me porosi të opozitës, po kontraktohen raste jo-ekzistuese, duke bërë kështu teatër me një qëllim të vetëm, diskualifikimin dhe diskreditimin e anëtarëve të partisë në pushtet”, ka deklaruar Aleksandar Nikollovski, nga VMRO DPMNE-ja.

Me marrëveshjen politike, partitë janë pajtuar që në rast të pengimit apo shfuqizimit të ligjit për Prokurorinë Speciale nga Gjykata Kushtetuese, duke marrë parasysh një nismë të dorëzuar në këtë gjykatë, ato brenda katër ditëve do të duhej të miratonin zgjidhje të re ligjore, për të mundësuar vazhdimin me punë të prokurorisë, e cila ka mbështetjen e fuqishme të bashkësisë ndërkombëtare.

Zyrtarët që po hetohen nga prokuroria kryesisht kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore, si ndërhyrje në punën e pushtetit gjyqësor, keqpërdorime financiare, afera të ndryshme korruptive, ndërhyrje në punën e medieve, manipulime zgjedhore e vepra tjera penale. Dyshimet bazohen në aferën e përgjimeve të publikuara nga opozita në shkurt të vitit të kaluar. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG