Ndërlidhjet

Biden nuk lëviz opozitën nga kundërshtimi i Demarkacionit


Mesazhet politike të nënpresidentit amerikan, Joe Biden për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, nuk i kanë ndryshuar pozicionin subjektit më të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje e cila rithekson kundërshtimin e saj në raport me zbatimin e marrëveshjes aktuale.

Përderisa dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, sot nuk janë prononcuar.

Megjithatë, më e zëshmja kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vazhdon të paraqitet Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt politik konsideron se deklaratat e Bidenit nuk e bëjnë më të mirë marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe as atë me Malin e Zi për Demarkacionin, e cila, sipas Vetëvendosjes, i humb Kosovës një territor prej 8 mijë hektarëve.

Në frymën e përmbylljes së procesit të Demarkacionit, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë se marrëveshja e arritur nga qeveria aktuale është e dëmshme dhe si e tillë do të kundërshtohet në Kuvend dhe në rrugë.

“Ne nuk do ta këmbejmë asnjë pëllëmbë të territorit me asgjë dhe nuk do ta shesim asnjë pëllëmbë të territorit për asgjë. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe me çdo mjet demokratik. Kjo marrëveshje Demarkacioni është e korruptuar sepse është marrëveshje të cilën e ka nënshkruar koka e korrupsionit në Kosovë”, është shprehur Ymeri.

Përderisa Vetëvendosje ka ritheksuar pozicionin e saj kundërshtues për Demarkacionin, duke besuar se Biden nuk ka kërkuar decidivisht që të ratifikohet marrëveshja aktuale, por që të përmbyllet një demarkacion i drejtë dhe i pranueshëm si për Kosovën ashtu edhe Malin e Zi, dy subjektet tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, sot janë përmbajtur nga prononcimet.

Ndërkohë analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se Biden në Prishtinë, veç tjerash, ua rikujtoi institucioneve të Kosovës obligimet që kanë marrë përsipër për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Aktualisht në proces është ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi. Por, marrë parasysh se koha deri te vendimmarrja është deri më 1 shtator, kur Kuvendi pritet të votoj për apo kundër ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, Mushkolaj nuk pret që deri atëherë të arrihet ndonjë konsensus politik ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

“Nënpresidenti Biden e bëri të qartë se këto janë obligimet e shtetit të Kosovës dhe natyrisht se duhet të shkohet përpara me këto çështje”.

“Unë nuk e besoj se për Demarkacionin mund të arrihet konsensus para 1 shtatorit. Besoj se për konsensus nevojitet kohë dhe kjo kohë është humbur fatkeqësisht me qëndrime totalisht të ngurta që i kanë pasur të dyja palët dhe më shumë kanë harxhuar energji në akuza të ndërsjella sesa që janë marrë me gjetjen e një konsensusi”, ka thënë Mushkolaj.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, nënpresidenti amerikan Joe Biden kishte porosi të qarta për lidershipin politik të Kosovës, sidomos institucionet vendimmarrëse, duke u kërkuar atyre që të përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të vazhdojnë dialogun me Serbinë, të ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe të vazhdojnë luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG