Ndërlidhjet

logo-print

Udhëzimi administrativ ende në fuqi - mjekët në dilemë si ta zbatojnë


Ministria e Shëndetësisë ka bërë ndryshime në një udhëzim administrativ të vitit 2013 me të cilin mjekët e Qëndrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtonin pacientët e tyre në institucionet e tjera shëndetësore jashtë institucionit publik, në raste kur shërbimet nuk mund t’i ofroheshin në këtë institucion.

Udhëzimi i nënshkruar nga ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, që dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës nga kryeprokurori i shtetit me “dyshimet për shpërdorim detyre”, u ka mundësuar për një kohë mjekëve të QKUK-së dërgimin e pacientëve jashtë institucionit publik.

Udhëzimi njëkohësisht ka shërbyer edhe si një bazë për ngritjen e akuzës nga prokuroria e shtetit me, siç thuhet, “dyshimin e bazuar se mjekët kanë keqpërdorur detyrën duke shpërdorur edhe fondet për dërgimin e pacientëve jashtë institucionit publik.

Lulzim Uka, zyrtar për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet në udhëzimin administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucionit publik “saktësojnë çështje procedurale”

‘’Ndryshim, plotësimet e Udhëzimit Administrativ 10/2013 për Trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore Publike, janë bërë kryesisht në disa çështje procedurale që shpesh kanë shkaktuar vonesa në procedimin e dokumentacionit nga qytetarët (pacientët)".

"Andaj, Ministria e Shëndetësisë, ka marrë vendim për të bërë plotësim-ndryshimin e këtij udhëzimi për të lehtësuar punën administrative si dhe për të qenë sa më të qartësuara procedurat e aplikimit për qytetarët”, ka thënë Uka.

Njohësit e fushës së drejtësisë vlerësojnë se korniza ligjore në fushën e shëndetësisë, qëllimisht është lënë e paqartë në segmente të ndjeshme, për të krijuar mundësi të keqpërdorimit të detyrës.

Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha se udhëzimi administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë, për të cilin një numër i mjekëve akuzohen për zbatimin të tij dhe marrje ryshfeti është udhëzim që krijon pasiguri juridike për mjekët.

‘’Është absurd i llojit të vet fakti që Ministria e Shëndeetësisë dhe Qeveria e Kosovës, kanë krijuar rregulla, që më shumë i kanë bërë mjekët jurist sesa që kanë mundur ta ushtrojnë profesionin e vet. Kjo për shkak se janë detyruar që të bëjnë interpretime të ndryshme për të zbatuar sa më drejtë udhëzimin administrativ".

"Krahas udhëzimit administrativ që është dashur ta zbatojnë mjekët, për shkak të mundësisë së interpretimit të dyfisht, është krijuar mundësi të manipulohet shumë , gjë që ka shkaktuar një aktakuzë që sot është ngritur nga prokurori Besim Kelmendi", ka thënë Musliu.

Ndërkohë ,zoti Uka ka shtuar se në udhëzimin administrativ është specifikuar edhe e drejta e ankesave për pacientët, për rastet urgjente.

‘’Në Udhëzimin Administrativ të ndryshuar 03/2016, është specifikuar edhe e drejta e ankimimit, për rastet urgjente të drejtën kohore prej 72 orësh për të aplikuar pa i llogaritur ditët e vikendit apo të festave. Po ashtu është ndryshuar edhe personi i ekzekutimit të pagesave nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm tek Kryeshefi i Agjencionit të Financimit të Shëndetësisë, si dhe janë përmendur edhe obligimet që ka zyra për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore Publike, nga pranimi i dokumentacionit deri te përfundimi i procedurave".

"Derisa, në Udhëzimin Administrativ 2016, shuma e pagesës së trajtimit nga Ministria e Shëndetësisë për pacientët është e përcaktuar për të gjithë në masën e 70%, të shumës totale të trajtimit, përkundër Udhwzimit Adminitrativ2013, ku shuma është përcaktuar nga Bordi , 50 deri në 70% të shumës totale’’.

Ndërkaq, zoti Musliu thotë se ndonëse janë bërë ndryshime në Udhëzimin Administrativ, ende mbetet e paqartë për mjekët pjesa e referimit të pacientëve, për në institutcionin privat shëndetësorë, për shërbimet që nuk I ofron institutcioni publik shëndetësor.

"Ndryshimet që janë bërë ende nuk janë të qarta, sa I përket ushtrimit të profesionit të mjekëve për referimin e pacientëve. Kjo krijon pasiguri juridike tek mjekët pasi kanë dilemma se si zbatojnë atë, sepse kanë frikë se vazhdimisht mund të jenë pjesë e një hetimi penal të një aktakuze potenciale’’, ka thënë Musliu

Saktësimet në udhëzimin admnistrativ vijnë pikërisht në kohën e punës intensive të hetuesisë së Kosoës që ka ngritur një varg aktakuzash ndaj mjekëve të QKUK-së një pjesë e të cilëve në detyra udhëheqëse.

Rasti i cilësuar “stenta” çoi në dorëheqjen jo vetëm të ish-ministrit Agani, por edhe një numër drejtorësh e menaxherësh të klinikave spitalore në Prishtinë, Gjilan e Prizren.

Megjithatë udhëzimi adminstrativ me të cilin, me shumë gjasa, u rrëzua një ministër nga pushteti nuk u zhbë por u ndryshua me pak elemente, për ta saktësuar siç thanë në Ministrinë e Shëndetësisë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG