Ndërlidhjet

Rusi: Dy OJQ amerikane konsiderohen “të padëshiruara”


Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Rusisë ka vlerësuar se dy Organizata Joqeveritare (OJQ), me seli në Shtetet e Bashkuara, janë “të padëshiruara” në Rusi dhe se ato e kërcënojnë sigurinë kombëtare të këtij vendi.

Në një kumtesë të mbrëmshme, kjo zyrë tha se do t’i konsideroj organizatat, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) dhe Fondin Investues për Zhvillimin e Mediave (MDIF), si “të padëshiruara” dhe që paraqesin “kërcënim për bazat e sistemit kushtetues rus dhe sigurisë shtetërore”.

Kjo zyrë thotë se vendimet i ka dërguar në Ministrinë e drejtësisë dhe se IRI dhe MDIF do të vendosen në listën e organizatave “të padëshiruara”.

Organizata IRI, që kryesohet nga senatori amerikan, John McCain, republikan nga Arizona, tha se “kjo lëvizje realisht thotë më shumë për presidentin Vladimir Putin se sa për IRI-n” dhe se kjo “është provë e mëtejmë se ai frikësohet nga demokracia dhe lejimi i popullit të tij të ketë mundësi ta përcaktoj të ardhmen e vet”.

IRI, që thotë se është i përkushtuar për “avancimin e lirisë dhe demokracisë në gjithë botën”, e ka mbyllur zyrën e vet në Rusi në vitin 2012 dhe programin për Rusinë e udhëheq nëpërmes projekteve të ndryshme në Evropë.

Organizata tjetër, MDIF, i ka ndihmuar financiarisht dhe teknikisht bizneset e organizatave të pavarura mediale në 39 vende në gjithë botën, prej vitit 1996.

XS
SM
MD
LG