Ndërlidhjet

logo-print

Goditja kundër Gylenit në Turqi del jashtë kontrollit


Abbas Djavadi

Më 17 gusht, kryeministri turk e ka lëshuar një “dekret special” përmes së cilit vendoset lirimi i 38 mijë të burgosurve, pa përfshirë ata që janë të dënuar për vrasje, abuzime seksuale apo përdhunim. Kjo përfshin krimet ekonomike.

Burgjet e tejmbushura turke dhe proceset e ngadalshme gjyqësore kanë detyruar të gjitha qeveritë që të amnistojnë të burgosur çdo vit, për të krijuar hapësirë për të burgosur të rinj.

Por, niveli i pa presedan i goditjes ndaj përkrahësve të dyshuar të klerikut turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen, i cili akuzohet se e ka organizuar grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut, duket se ka luajtur rol të madhë në nxitjen e qeverisë së Rexhep Tajip Erdogan që të përfshijë sa më shumë të burgosur në amnisti.

Mijëra të burgosur që dyshohet se në mënyrë aktive apo vetëm verbale e përkrahin Gylenin po presin proceset gjyqësore në salla të mëdha të paraburgimit në të gjithë vendin. Ata kanë nevojë për një vend në burgje të rregullta.

“A po lirojmë hajdutë e kriminelë që të krijojmë hapësirë për puçistët?” është një pyetje që po bëhet me të madhe në mediat turke këtyre ditëve.

Padyshim që përgjigja është po.

Duke u mbështetur në lajmet kryesore të mediave në Turqi, në vijim ju sjellim një përmbledhje të paraburgosjeve, arrestimeve dhe pezullimeve të 24 orëve të fundit që kanë lidhje me puçin. Do të përfshijë edhe sulmet e ndara terroriste që kanë lidhje me kryengritjen kurde.

-- 24 gazetarë të paraburgosur të gazetës “Ozgur Gundem” janë dërguar në zyrën e prokurorit;

-- Në një sulm terrorist në një fshat në afërsi të qytetit juglindor të Bitlisit, katër pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë;

--Asnjë gjurmë nga mësuesi i paraburgosur, Demirtas;

-- Sipas një “dekreti special”, 187 biznismenë duhet të paraburgosen;

-- Sulm me bombë në stacionin policor në Van në Turqinë lindore, tre të vrarë dhe 73 të lënduar;

--Operacion Anti Gylen kundër dhëndrrit të kryetarit të Stambollit, Kadir Topbass;

--Komiteti i mediave elektronike kombëtare e ka ndaluar raportimin për sulmin me bombë në stacionin policor të Elazigut, po në Turqinë lindore;

--Koloneli i paraburgosur në një rast që ka lidhje me Gylenin bënë përpjekje të mbrojë vetën;

--Guvernatori i Elazigut në Turqinë lindore thotë se tre policë janë vrarë, 146 janë lënduar, 14 prej të cilëve me lëndime serioze;

-- Një “dekret special” vendos pezullimin e 2360 njerëzve nga departamenti i policisë dhe 112 të tjerëve nga personeli i forcave të armatosura;

-- Planifikohet paraburgosja e 86 gjykatësve dhe prokurorëve.


Të gjitha këto në një ditë.

Sa për sqarim, “dekretet speciale” të presidentit dhe të kryeministrit e luajnë rolin e ligjeve në gjendjen aktuale të emergjencës.

Lista e mësipërme mund të mos jetë e plotë. T’i harrojmë për pak sulmet e tmerrshme terroriste që kryesisht kanë lidhje me kryengritjen kurde.

Si mund të përcjellësh paraburgosjet dhe pezullimet që po vazhdojnë prej 15 korrikut - pa pushim? Nuk mundesh. Askush nuk mundet, pos agjencive të sigurisë. Gazetarët megjithatë mundohen të mbajnë hapin përmes statistikave.

Sipas disa vlerësimeve, prej puçit - 77 mijë shërbyes civilë janë pezulluar, 5 mijë janë larguar nga puna, 19 mijë janë paraburgosur dhe mbi 11 mijë janë arrestuar.

Të njejtat burime vlerësojnë se numri prej 77 mijë pezullimeve shumë shpejtë do të arrij shifrën prej 100 mijë.

Presidenti ka paralajmëruar që “viruset” siç i quan ai përkrahësit e Gylenit “janë gjithandej”. Ai iu ka bërë thirrje të gjithëve që t’i raportojnë ata te prokurorët dhe agjencitë e sigurimit “edhe nëse janë miqtë tuaj”.

Me “dekretin special” të lëshuar më 17 gusht, mbi 2300 pjesëtarë të stafit të policisë dhe 112 punonjës të forcave të armatosura janë larguar nga puna.

Është thjeshtë e pamundshme që 77 mijë njerëz e aq më pak 100 mijë njerëz të kenë qenë të armatosur apo përkrahës aktiv të puçit të dështuar.

Secili që dyshohet se ka lidhje apo edhe nëse thjeshtë ka folur diçka positive për Gylenin në të kaluarën është duke u raportuar dhe më pas pezulluar apo paraburgosur.

Disa kanë rapotuar se bile edhe vet miqtë e përkrahësve të Gylenit janë paraburgosur. Ka pretendime se disa njerëz spiunojnë të tjerët dhe i raportojnë si “Gylenistë” te forcat e sigurisë vetëm që t’iu marrin vendet e punës apo bizneset.

Verifikimi i këtyre dhjetëra mijëra dyshimeve dhe rasteve në procese të hapura të drejta mund të zgjasë me vite, nëse fare do të ketë procese transparente gjyqësore.

Ndëkrohë, të akuzuarit kanë humbur vendet e tyre të punës dhe sigurinë financiare. Së bashku me familjet e tyre, ata mund të arrijnë deri në gjysëm milioni njerëz apo më shumë.

Përgatiti: Artan Haraçia

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG