Ndërlidhjet

Paqartësitë në rregulla, pengojnë punën e mjekëve


Ilustrim (Shutterstock)
Ilustrim (Shutterstock)

Me gjithë ndryshimet dhe plotësimet e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, që thuhet se qartëson përgjegjësitë e mjekëve të Qendrës Klinikë Universitare të Kosovës, në rastin e dërgimit të pacientëve për shërim jashtë institucionit publik, një numër çështjesh ende kanë mbetur të paqarta.

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, i tha Radios Evropa e Lirë se çështjet teknike, që ndërlidhen me rastet emergjente, kur pacienti duhet të referohet menjëherë në institucionin privat, nuk janë ende të qarta.

Kjo parasheh që tre mjekë të referojnë pacientin e rastit urgjent. Por, në orarin e pasdites nuk janë tre mjekë dhe këtu mbetet paqartësia. Kryesisht rastet më të shumta i kemi me probleme kardiake. Por, me një plotësim ndryshim të udhëzimit administrativ përmes një qarkoreje, edhe këto procedura teknike do të përfshihen”.

“Ky ndryshim është bërë në kohën e aferave dhe kishte frikë nga ana e mjekëve, për veprimet procedurale, pasi shumë mjekë kanë menduar se pikërisht veprimet procedurale kanë shkaktuar akuzë”, tha Gjocaj.

Qëndrimi i drejtorit të QKUK-së, Gjocaj, vjen një ditë pasi Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se ka bërë ndryshime në një Udhëzim Administrativ të vitit 2013, me të cilin mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtonin pacientët e tyre në institucionet e tjera shëndetësore jashtë institucionit publik, në raste kur shërbimet nuk mund t’i ofroheshin në këtë institucion.

Udhëzimi i nënshkruar nga ish-ministri Ferid Agani, që dha dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës nga kryeprokurori i shtetit me “dyshimet për shpërdorim detyre”, u ka mundësuar për një kohë mjekëve të QKUK-së dërgimin e pacientëve jashtë institucionit publik.

Udhëzimi njëkohësisht ka shërbyer edhe si një bazë për ngritjen e akuzës nga Prokuroria e shtetit me, sic thuhet, “dyshimin e bazuar se mjekët kanë keqpërdorur detyrën duke shpërdorur edhe fondet për dërgimin e pacientëve jashtë institucionit publik.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thanë se me ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ po “saktësohen çështje procedurale”, sado që njohës të mirë të rrethanave thanë se korniza ligjore në fushën e shëndetësisë, qëllimisht është lënë e paqartë në segmente të ndjeshme, për të krijuar mundësi të keqpërdorimit të detyrës.

Ata theksuan se Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë, për të cilin një numër i mjekëve akuzohen për zbatim të tij dhe marrje ryshfeti, është udhëzim që krijon pasiguri juridike për mjekët.

Mjekët e QKUK-së, një pjesë e të cilëve janë ose të akuzuar për shpërdorim detyre ose nën hetime, flasin për atmosferën e krijuar brenda institucioneve publike shëndetësore, lidhur me zbatimin e Udhëzimit Administrativ, pas ndryshimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare, tha se përparësi e punës së Ministrisë duhet të jetë krijimi i kushteve dhe qartësive juridike që do të zbatoheshin në klinika.

“Të gjithë mjekët e Kosovës vuajnë nga kompetencat. Ajo është dëshira permanente e doktorëve që të kenë të drejta të plota, ndërkaq ministria e ka për detyrë të krijojë kushte sa më të favorshme në raportin mjek-pacient”, theksoi Avdiu.

Ndërkohë, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë, Skënder Syla, tha se organizata që përfaqëson, rekomandon që udhëzimet e lëshuara duhet të jenë në interes të qytetarëve të vendit.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon të gjitha vendet, që legjislacioni në fuqi, rregullativat tjera dhe udhëzimet administrative që dalin, të jenë në interes të qytetarëve dhe të mos lënë mundësi të dykuptimësisë, të keqinterpretimit apo të lënë konflikt interesi në mes të institucioneve publike shëndetësore dhe atyre private. Kjo është çështje e brendshme e institucioneve shëndetësore dhe ato duhet të gjejnë modalitete gjithnjë në interes të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Syla.

Saktësimet në Udhëzimin Administrativ vijnë pikërisht në kohën e punës intensive të hetuesisë së Kosovës, që ka ngritur një varg aktakuzash ndaj mjekëve të QKUK-së, një pjesë e të cilëve në detyra udhëheqëse.

Rasti i cilësuar “stenta” çoi në dorëheqjen jo vetëm të ish- ministrit Agani, por edhe të një numri drejtorësh e menaxherësh të klinikave spitalore në Prishtinë, Gjilan e Prizren.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG