Ndërlidhjet

logo-print

Daçiq: Në Bruksel nuk është diskutuar ndryshimi i Kushtetutës


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se çështja e heqjes së preambulës së Kushtetutës së Serbisë, e cila e definon Kosovën si "pjesë të këtij vendi", nuk ka qenë pjesë e asnjë rrethi të bisedimeve që është zhvilluar në Bruksel.

Daçiq, në një konferencë për media në Beograd, tha se Serbisë, gjatë bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do t’i bëhen kërkesa të caktuara që duhet t’i përmbushë për t’u bërë anëtare e bllokut.

“Ato (kërkesa) nuk i referohen preambulës. Ajo nuk ka qenë temë e asnjë dialogu në BE”, tha Daçiq.

Ai shtoi se Serbia duhet të mbajë kontaktet me të gjitha vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sepse disa prej tyre kanë “presion të madh” për të ndryshuar qëndrimin.

Daçiq tha se javën e ardhshme do të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohet raporti i fundit tremujor i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Mësohet se në këtë raport, Ban ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka shënuar përparim të konsiderueshëm.

XS
SM
MD
LG