Ndërlidhjet

logo-print

Vuçiqit i kërkohet të ndërhyjë në Republikën Sërpska


Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Referendumi i planifikuar për 25 shtator, në të cilin qytetarët e Republikës Sërpska të Bosnjës do të deklaroheshin nëse e mbështesin 9 janarin si Ditë të entitetit, ka shkaktuar reagime të shumta.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje tha se referendumi është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës së viteve 1990, dhe se e çon Republikën Sërpska në izolim.

Cristian Dan Preda, raportuesi i Parlamentit Evropian për Bosnjën, i ka dërguar apel kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“E lus Vuçiqin që të ndërhyjë dhe të bindë mikun e tij se referendumi nuk është gjë e mirë”, tha Preda, duke iu referuar udhëheqësit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

“Serbia ka rol të rëndësishëm në stabilizimin e Bosnjës”, shtoi ai.

Vuçiq tashmë ka deklaruar se në rastin e referendumit nuk do të përzihet në çështjet e brendshme të Republikës Sërpska dhe të Bosnjës, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Edhe Doris Pack, ish-deputete gjermane e Parlamentit Evropian, tha se Vuçiq mund ta bindë Dodikun se referendumi nuk është në frymën e Marrëveshjes së Dejtonit dhe se mbajtja e tij do ta minonte atë marrëveshje.

Marrëveshja e Dejtonit, e arritur më 1995, i ka dhënë fund luftës në Bosnje, por ka krijuar dy entitete të veçanta – Federatën Myslimano-Kroate dhe Republikën Sërpska.

XS
SM
MD
LG