Ndërlidhjet

logo-print

Biden premton “mbështetje të palëkundur” për Turqinë

  • RFE /RL

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, në Ankara.

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, në Ankara.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Uashingtoni u kushton “rëndësi të madhe” marrëdhënieve me Turqinë dhe i ofron “mbështetje të palëkundur” demokracisë në këtë vend, pas puçit të dështuar, më 15 korrik.

Biden i bëri këto komente të mërkurën për gazetarët në Ankara, pas takimeve me aotoritetet turke.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha më herët se do t’i kërkojë Bidenit të respektojë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e klerikut turk, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet. Gulen mohon çdo rol.

Biden konfirmoi se SHBA ka marrë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e Gulenit, por tha se provat e paraqitura në kërkesë lidhen me ngjarje përpara puçit të 15 korrikut.

Nënpresidenti amerikan tha se Uashingtoni e kupton “ndjenjën intensive” në Ankara ndaj Gulenit dhe se SHBA nuk ka interes të mbrojë askënd që dëmton një aleat amerikan. Por, ai insistoi se duhet të respektohen standardet ligjore në lidhje me kërkesën për ekstradim.

Biden tha se SHBA “nuk ka pasur njohuri paraprake” për grushtshtetin, ndërsa veprimet e komplotuesve i përshkroi si “tradhtare” dhe “frikacake”.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha pas takimit me Bidenin se procesi ligjor mbi ekstradimin duhet të kryhet pa vonesë.

Ministria e Drejtësisë e Turqisë tha se kërkesa për ekstradim me provat që tregojnë për përfshirjen e Gulenit në përpjekjen për puç, sipas të gjitha gjasave, do t’i dorëzohen Uashingtonit javën e ardhshme.

Biden po ashtu tha se ka biseduar me autoritetet turke për përparimin që kanë bërë vendet e tyre në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri.

Ai tha se përdorimi i bazës ajrore turke Incirlik nga Uashingtoni mbetet “pika kyçe” për kryerjen e sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Ai po ashtu lavdëroi Turqinë për strehimin e tre milionë refugjatëve që kanë ikur nga konfliktet në Siri dhe Irak, duke theksuar se një gjë e tillë ka vënë barrë të madhe mbi Turqinë.

Biden ka arritur në Ankara vetëm disa orë pasi forcat turke, të mbështetura nga sulmet ajrore të SHBA-së, kanë nisur ofensivë ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik në veri të Sirisë.

Tanket turke kanë kaluar kufirin në një pjesë të Sirisë, e cila është nën kontrollin e Shtetit Islamik qysh në korrik të vitit 2013.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG