Ndërlidhjet

logo-print

Nga sulmi në Universitetin Amerikan në Kabul 12 viktima

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Së paku 12 persona, përfshirë edhe shtatë studentë janë vrarë gjatë një sulmi që ka zgjatur 10 orë nga persona të armatosur në Universitetin Amerikan të Afganistanit në Kabul.

Sulmi i filluar më 24 gusht me një shpërthim të madh, që zyrtarët thonë se ishte veturë bombë, është përcjellur me sulm me armë zjarri nga militantë të dyshuar që e kanë kaluar rrethimin me mure të hapësirës së universitetit. Qindra studentë dhe pjesëtarë të fakultetit kanë mbetur të ngujuar brenda universitetit gjatë sulmit.

Forcat speciale afgane me ndihmën e SHBA-ve dhe këshilltarëve ushtarakë të NATO-s, e kanë rrethuar hapësirën e universitetit dhe eventualisht janë futur brenda. Pas një nate me përballje sporadike me armë zjarri, zyrtarët thonë se forcat speciale i kanë vrarë të dy sulmuesit duke i dhënë fund sulmit në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Shefi i policisë së Kabulit, Abdul Rahman Rahimi ka thënë se në mesin e viktimave janë edhe tre policë dhe dy roje të sigurisë. Dhjetëra të lënduar janë dërguar në spitale. Ai ka thënë se 35 studentë dhe nëntë policë janë në mesin të lënduarve, ndërsa 750 studentë dhe pjesëtarë të stafit janë shpëtuar nga universiteti.

Ministria e shëndetit publik e Afganistanit ka thënë se asnjë i huaj nuk është në mesin e të lënduarve.

Asnjë grup deri më tash nuk e ka marë përgjegjësinë për sulmin i cili ndodhi në kohën kur talibanët kanë shtuar luftimet e tyre të nisura gjatë verës kundër qeverisë qëndrore.

Roman Dehsabzwal, që ishte brenda një prej klasëve të katit të dytë kur ka nisur sulmi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai beson që një sulmues e ka hedhur vetën në erë afër hyrjes së objektit, dhe pas kësaj sulmuesit e tjerë kanë hyrë brenda.

"Fillimisht u dëgjua një shpërthim i madh që thejë dritaret, pas kësaj filluan sulmet me armë zjarri. Një nga miqtë e mi u lëndua”, thotë ky student që i mbijetoj sulmit me dy kolegë të tjerë.

Sulmi është një nga më vdekjeprurësit ndaj një universiteti të njohur në Afganistan.

Numri çdo herë në rritje i studentëve që regjistrohen në këtë universitet shihet si një nga sukseset më të mëdha të Afganistanit prej okupimit të udhëhequr nga SHBA-të në vitin 2001 që larguan talibanët nga pushteti.

Në një komunikatë të zyrës së presidentit afgan, Ashraf Ghani duke e dënuar “sulmin terrorist” thuhet se “sulmi ndaj institucioneve arsimore dhe hapësirave publike duke pasur si cak civilët jo vetëm që do të dështojë për të tronditur përkushtimin tonë, por do e fuqizojë atë në luftën dhe zhdukjen e terrorit”.

Sulmin e ka dënuar fuqishëm edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara përmes një komunikate ku thuhet “...ne lutemi për familjet e atyre që janë vrarë ndërsa dëshirojmë përzemërsisht shërimin e shpejtë të atyre që janë plagosur”.

Departamenti amerikan i Shtetit e ka dënuar sulmin që e ka quajtur “sulm mbi të ardhmen e Afganistanit”.

Universiteti që ka filluar punën në vitin 2006, ka mbi 1700 studentë, shumica e të cilëve ndjekin mësime me korrespondencë derisa kanë edhe vende pune me orar të plotë.

Sulmi mbi kampusin e këtij universiteti ka ndodhur dy javë pasi dy ligjerues të këtij institucioni, një australian dhe një amerikan janë kidnapuar nga persona të armatosur në Kabul. Vendodhja e tyre ende nuk dihet.

Incidenti ka ndodhur në kohën kur talibanët kanë zgjeruar sulmet e tyre në tërë vendin.

Forcat afgane të përkrahura nga trupat amerikane janë përfshirë në luftime të ashpra në Lashkar Gar, kryeqytetin e krahinës jugore Helmand, në përpjekje për të zvogëluar rrezikun e okupimit prej talibanëve.

Talibanët kanë arritur të okupojnë zona të mëdha të krahinës së Kunduzit ku militantët përkohësisht vitin e kaluar e kanë marë nën kontroll kryeqytetin e krahinës gjatë betejës së tyre më të sukseshme në 15 vjetët e fundit. (REL)

XS
SM
MD
LG