Ndërlidhjet

Besimi i ndërsjellë greko-maqedonas çon drejt zgjidhjes së problemit të emrit


Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Poposki dhe Nikos Kocijas (majtas), 25 gusht 2016

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Poposki dhe Nikos Kocijas (majtas), 25 gusht 2016

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë dhe të Greqisë, Nikolla Poposki dhe Nikos Kocijas, thanë të enjten në Shkup se ndërtimi i mirëbesimit të ndërsjellë “do të kontribuojë në gjetjen e një kompromisi të pranueshëm për të dyja palët”.

Megjithëse çështja e emrit të Maqedonisë nuk ishte pjesë e diskutimeve të ministrave të jashtëm të të dyja vendeve, zyrtari maqedonas dhe ai grek theksuan rëndësinë e “bashkëpunimit të ndërsjellë dhe që në mënyrë të qetë të tejkalohen dallimet ndërmjet dy vendeve”.

Çështja e emrit u vu në fokus të vëmendjes në opinionin e Maqedonisë, pas një periudhe të gjatë të pushimit dhe vizitës së rrallë të një zyrtari të lartë grek në Shkup. Kontesti prej më shumë se njëzet vjetësh ende nuk ka arritur të zgjidhet, ndërkohë që të dyja palët në kohët e fundit patën shtuar kritikat ndaj njëra tjetrës.

Por, ministri i jashtëm grek, Nikos Kocijas, tha se raportet ndërmjet dy vendeve fqinje kanë ndryshuar, duke marrë një rrjedhë me konotacion pozitiv.

“Nuk kemi biseduar për emrin, këtë herë biseduam për bashkëpunimin. Unë angazhohem për kompromise, por të mira, jo kompromise të këqija. Kompromise që do të na lirojnë nga burgjet e historisë. Mendoj se në mënyrë të qetë duhet t’i tejkalojmë dallimet tona. Pra, nevojitet një kompromis nga i cili do të jenë të kënaqur të dyja palët. Fakt është se kur rritet besimi njëkohësisht zgjerohen dhe horizontet për gjetjen e një kompromisi”, tha Kocias, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun Poposki.

Shefat e diplomacisë greke dhe asaj maqedonase, Kocijas dhe Poposki, para gazetarëve thanë se intensifikimi i takimeve mes zyrtarëve të dy vendeve do të çonte kah zgjidhja e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë.

“Vlerësimi ynë është se lloji i këtillë i bashkëpunimit dhe takimeve intensive mund të jetë i frytshëm në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në krijimin e atmosferës për përafrim të dy vendeve. Ideja që të rritet komunikimi është që të fokusohemi me çështjet grupore, ngase integrimet evropiane varen nga to. Fokus të tërësishëm kemi vendosur në thellimin e marrëdhënieve bilaterale. Më e rëndësishmja është që të krijojmë ura bashkëpunimi me Greqinë”, tha ministri i jashtëm, Nikolla Poposki.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Poposki dhe Kocijas, kanë nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi, ndërsa është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit në pjesën e arsimit, energjetikës, si dhe sektorin e sigurisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG