Ndërlidhjet

Ekspozitë nga letërkëmbimi i Nënës Terezë


Ilustrim
Ilustrim

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve të Maqedonisë, në bashkëpunim me shoqatën e Historianëve Shqiptarë në Shkup, me rastin e 106 vjetorit të lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza, dhe në prag të shenjtërimit të saj, të premten në Galerinë Nacionale “Hamami i Daut Pashёs” ka organizuar një ekspozitë me emrin “Shenjtorja nga Shkupi – letërkëmbime”, pjesa më e madhe e të cilave për herë të parë i shfaqen publikut.

“Kemi arritur të bëjmë një ekspozitë ku në fokus kemi vënë aspektin e identitetit, aspektin human, dh atë paqësor të Nënës Terezë, me ç`rast kemi përshkuar veprimtarinë e Gonxhe Bojaxhiut, prej lindjes deri në vdekje.'

"Besoj se ky do jetë një mesazh i mirë për tërë botën, nga Shkupi, se atë që ia dhuroi Shkupi botës tani madhështia e humanistes së madhe i kthehet sërish Shkupit në prag të shenjtërimit për kontributin dhe veprimtarinë e madhe që ka dhënë Nëna Terezë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë .

Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, tha se sjellja në dritë e një morie dokumentesh që flasin për prejardhjen e Nënës Terezë paraqet vlerë kombëtare për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

“Sikur që e dini dhe ju të gjithë, në momentin e marrjes së çmimit Nobel në vitin 1979, një nga klerikët e pranishëm e pyeti Nënë Terezën se nga ishte. Ajo atë kohë tha : Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë, por atdheu im është një vend i vogël dhe quhet Shqipëri”, tha ambasadori Reka, duke rikujtuar thënien e Nënë Terezës.

Gjatë ditës, përfaqësues të lartë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur kurora lulesh te pllaka përkujtimore, ku ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut, në Sheshin “Maqedonia” në Shkup.

Deputetja nga Kosova, Mexhide Mjaku Topalli, e cila ishte pjesë e delegacionit të deputeteve nga Kosova, tha se përmes virtyteve të saj që të ndihmojë të varfërit dhe promovojë frymën e paqes, Nënës Tereza vuri në spikamë virtytet e çdo gruaje në botë.

“Nëna Terezë ka dhënë një mesazh për të gjitha gratë e të gjitha popujve në botë, duke promovuar virtytet më të larta të njeriut, humanizmin, dashurinë dhe paqen”, tha deputetja Mexhide Mjaku Topalli.

Ndërkaq, Anton Sereçi, përfaqësues i besimtarëve katolik në Shkup, ka shprehur, siç tha, dhembjen e të gjithë katolikëve shqiptarë në Maqedoni, sepse në Shkupin e Nënës Terezë tanimë me vite nuk ka asnjë meshë në gjuhën shqipe.

“Ne si shqiptarë katolik këtu, nuk kemi priftërinj shqiptarë, nuk dëgjohet fjala shqipe në mesha. I lus të gjitha institucionet në Republikën e Maqedonisë që ta zgjidhin këtë hall tonin”, tha Sereçi.

Ekspozita “Shenjtorja nga Shkupi – letërkëmbime”,e cila është hapur në Shkup, do të shfaqet në disa qendra të botës, thanë organizatorët e kësaj ngjarjeje. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG