Ndërlidhjet

Nuk ka mësimdhënës për fëmijët me autizëm


Ilustrim
Ilustrim

Kosova nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë jetojnë me autizëm. Statistikat botërore flasin se një në 68 fëmijë lind me autizëm.

Psikologë, të cilët tashmë janë për specializim jashtë Kosovës, për sjelljet e fëmijëve me autizëm, si dhe mësimdhënie për ta, thonë se Kosova nuk ka kuadro të kualifikuar për këtë kategori të shoqërisë.

Tringa Krasniqi, mësuese e nxënësve me autizëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç problemit me trajtimin mësimor për fëmijët me autizëm, edhe më keq qëndrojnë adoleshentët dhe njerëzit e rritur me autizëm.

“Pozita e fëmijëve me autizëm në Kosovë, nuk është e mirë. Këta fëmijë shërbimet i marrin në qendra ku vetë prindërit paguajnë për ta. Nuk ka kuadro të kualifikuara dhe me ta punojnë psikologë. Ata nuk studiojnë për autizëm dhe për metodat shkencore që përdoren për t’i arsimuar nxënësit me autizëm".

"Këta fëmijë duhet të marrin intervenim të hershëm dhe duhet të jenë 5 orë në ditë intensive që të marrin shërbime. Edhe një tjetër problem që unë po e vërej është se ka fëmijë të rritur dhe adoleshentë me autizëm dhe askush nuk merret me ta. Po i shmangen përgjegjësive pasi që është punë më sfiduese”, thotë Krasniqi.

Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës “Autizmi”, thotë se kushtet në trajtimin e autizmit në Kosovë, janë të pandryshuara që prej vjetësh dhe nuk ka asnjë përparim.

Numri i fëmijëve me autizëm është në rritje. Ka shoqata në Kosovë që merren me trajtimin dhe sfida mbetet te trajtimi i mirëfilltë. Çdo ditë nga një deri në dy orë në ditë, zhvillohet trajtimi me program special për ta. Staf të nivelit bazik ka. Ne, si shoqatë, kemi trajnuar dy gjenerata , por ka qenë trajnim tremujor profesional vetëm për autizëm”, shpjegon Cen Krasniqi.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës kanë pak njohuri për autizmin.

“Po nisem nga vetë prindërit që e heshtin dhe hezitojnë të flasin për të. Gjithashtu, ka mungesë të mirëfilltë të diagnostikimit. E, edhe në rast të diagnostikimit gjasat për t’i ndihmuar këta fëmijë, janë të vogla, pasi edhe vetë prindërit po hezitojnë t’i paraqesin”, shton Cen Krasniqi.

Për Radion Evropa e Lirë flet edhe nëna e fëmijës me autizëm, Violeta Hyseni, duke treguar treguar për sfidat me të cilat përballet si prind i një fëmije me autizëm përmend mungesën e kuadrove, shkollave të specializuara, si dhe mungesën e mbështetjes institucionale.

“Nuk ka ndryshime pozitive, nga viti në vit. Nuk ekzistojnë shkolla për fëmijë me autizëm dhe nuk po shohim ndonjë interesim për këtë punë. Funksionojnë qendrat dhe shoqatat e prindërve, por jo diçka tjetër. Këto qendra funksionojnë me donacione, e që janë të pakta dhe prindërit kontribuojnë vetë. Përkrahje institucionale pothuajse nuk ka fare, ose tepër pak kontribuojnë dhe atë vetëm për mjete të punës dhe për atafëmijë me raste sociale”, tregon Violeta Hyseni.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kanë ndihmuar herë pas here, organizatat që merren me problematikën e autizmit, me një shumë simbolike dhe se po shqyrtojnë mundësitë që të shtojnë nivelin e ndihmës për këtë kategori të shoqërisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG