Ndërlidhjet

logo-print

Kerry thotë se janë afër arritjes së marrëveshjes me Rusinë për Sirinë


Uashingtoni dhe Moska nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me një bashkëpunim ushtarak dhe humanitar për Sirinë e përfshirë në luftë.

Pas takimit 12 orësh në mes të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Gjenevë, nuk u njoftua për një rezultat të rëndësishëm.

“Jemi afër”, tha sekretari Kerry. “Por ne nuk do të insistojmë për një marrëveshje derisa ajo nuk përmbushë të gjitha nevojat e njerëzve në Siri”.

Kerry tha se “ne kemi arritur një qartësi në rrugën tonë përpara” për një ndërprerje të armiqësive, dhe ka shtuar se “shumica” e pengesave teknike për arritjen e një armëpushimi janë larguar por disa çështje kanë mbetur të pazgjidhura.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov u tha gazetarëve se janë bërë “hapa të rëndësishëm” në marrëveshjen për ta ndalur dhunën.

“Mendoj se në një kohë të afërt ne do të prezantojmë rezultatet e përpjekjeve tona të përbashkëta”, tha Lavrov.

Ka pasur shpresë për një njoftim për ndërprerjen e luftimeve në Siri dhe në zhvillimin e një raundi të ri të bisedimeve për paqe të ndërmjetësuar nga OKB-ja.

Por Kerry tha se nuk duan që të njoftojnë para kohe për arritjen e marrëveshjes.

“Ne nuk duam të bëjmë një njoftim... që nuk është i detyrueshëm, që nuk ka detaje të përpunuara”, tha Kerry.

“Derisa të arrihet marrëveshja, asnjëri prej nesh nuk është i përgatitur që të njoftojë për një dështim të presupozuar. Ne nuk duam të arrijmë marrëveshje vetëm për hir të marrëveshjes, ne duam një marrëveshje që është efektive, që funksionon për popullin e Sirisë, që e bën rajonin më të qëndrueshëm dhe më të sigurt, që na ka sjell ne në këtë tryeze në Gjenevë, për të gjetur zgjidhje politike”, tha Kerry.

Sekretari amerikan i shtetit tha se ekspertët amerikanë dhe ata rusë, në ditët në vazhdim do të zhvillojnë takime në Gjenevë, në përpjekje për të sheshuar pengesat e mbetura, me qëllim që të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme.

Ndërkaq, Lavrov tha se njëra prej çështjeve të pazgjidhura është mundësia e koordinimit të sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera terroriste në Siri.

Në këtë pikë, ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë përmbushur premtimin e tyre për të mos mbështetur grupin Al-Nustra, të cilët po luftojnë së bashku me forcat e mbështetura nga SHBA-të.

“Pa një përcaktim të qartë të grupeve terroriste dhe forcave opozitare, unë nuk shoh asnjë mundësi të arritjes së ndërprerjeve të plota të armiqësive”, tha Lavrorv.

XS
SM
MD
LG