Ndërlidhjet

logo-print

Funeral për 34 viktima të tërmetit në Itali


 Amatrice, Itali

Amatrice, Itali

Një funeral masiv po zhvillohet në Itali për disa nga 284 viktimat e tërmetit të fuqishëm të së mërkurës.

Ceremonia e varrosjes së 34 viktimave nga qyteti Arquata ka filluar në një sallë të sportit, në kryeqytetin e këtij rajoni, Acoli Piceno.

Arkivolet, të vendosura në radhë në dysheme, përfshinin edhe dy arkivole të bardha, të pikturuara, për dy fëmijët e vdekur të këtij tërmeti.

Numri i të vdekurve nga tërmeti, i cili goditi një rajon malor, u rrit brenda natës, pasi u gjetën edhe shumë trupa, njofton BBC.

Kryeministri italian, Matteo Renzi është në mesin e pjesëmarrësve në këtë funeral.

Presidenti Sergio Mattarella më herët ka vizituar Amatricen, qyteti i cili ka pasur më së shumti viktima.

Shumica e viktimave janë italianë por në mesin e tyre ka edhe disa shtetas të huaj.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga tërmetet pasuese, njëri prej të cilëve ka dëmtuar rëndë një urë të rëndësishme në qytetin Amatrice.

“Të shpresojmë që ura nuk do të kolapsojë sepse në të kundërtën, qarkullimi në këtë qytet do të ndërprehet”, ka thënë kryetari i Amatrices, Sergio Pirozzi.

Përgatitjet për funeralin e sotëm për dhjetra viktima, që humën jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, nisin në mëngjes.

Makinat që bartnin arkivolet arritën në sallën e sportit në qytetin e Ascoli Piceno.

Varrmijësit, me kujdes vendosën kurorat e luleve mbi 34 arkivole nga Arqueta del Tronto, dy prej të cilëve bartnin dy fëmijë të vegjël. Në njërën nga kurorat ishte shkruar “Mamma”.

Për këtë cerenomi janë parë prani e madhe e sigurisë, për shkak të pranisë së Presidentit Italian dhe Kryeministrit, të cilët së bashku me familjet e tyre, do të bëjnë homazhe.

Flamurët sot në Itali janë ulur në gjysmështizë, në respekt të viktimave nga tërmeti i fuqishëm.

Vetëm në qytetin Amatrice kanë humbur jetën më shumë se 200 njerëz. Arquata, Accumoli, Pescara del Tronto dhe Amatrice, janë qytetet më të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Shumë trupa janë sjellë në një morg të improvizuar në qytetin Rieti, ku familjarët kanë identifikuar më të dashurit e tyre.

Funerali i parë për njërin nga viktimat e tërmetit u mbajt të premten, ku u varros biri i një zyrtari të shtetit, i cili vdiq në Amatrice.

Të paktën 388 persona janë trajtuar në spital për shkak të plagëve të marra, ndërkaq më shumë se 2 mijë të tjerë janë të pastrehë.

Tërmeti prej 6.2 ballësh goditi rreth 100 kilometra në verilindje të Romës, në orët e para të së mërkurës.

Qeveria italiane është kritikuar se ka dështuar për të parandaluar vdekjet e njerëzve pas tërmetit të vitit 2009, në afërsi të L’Aquila i cili la të vdekur 300 persona.

Qytetet historike italiane nuk janë në përputhje me rregulloret e ndërtimit për anti-tërmete, rregulla të cilat shpesh nuk zbatohen as për ndërtesat e reja.

Përveç fondeve të emergjencës, kryeministri italian Renzi ka anuluar taksat për banorët dhe ka njoftuar për një nismë të re “Shtëpitë Italiane”, për të trajtuar kritikat ndaj ndërtimeve me cilësi të dobët.

Po ai gjithashtu ka thënë se është absurde të mendohet se italia mund të ndërtojë ndërtesa që i mbijetojnë tërmeteve.

XS
SM
MD
LG