Ndërlidhjet

Italia varrosi disa nga viktimat e tërmetit


Amatrice
Amatrice

Një funeral masiv është zhvilluar në Itali për disa nga 284 viktimat e tërmetit të fuqishëm të së mërkurës.

Ceremonia për 34 viktimat nga qyteti Arquata, ka filluar në një sallë të sportit, në kryeqytetin e këtij rajoni, Acoli Piceno.

Në mesin e arkivoleve të vendosura në radhë në dysheme, ishin edhe dy arkivole të bardha, të pikturuara, për dy fëmijët e vdekur të këtij tërmeti.

Numri i të vdekurve nga tërmeti, i cili goditi një rajon malor, u rrit brenda natës, pasi u gjetën edhe shumë trupa, njofton BBC.

Kryeministri italian, Matteo Renzi, ishte në mesin e pjesëmarrësve në këtë funeral.

Presidenti Sergio Mattarella më herët ka vizituar Amatricen, qyteti i cili ka pasur më së shumti viktima.

Shumica e viktimave janë italianë, por në mesin e tyre ka edhe disa shtetas të huaj.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë penguar nga tërmetet pasuese, njëri prej të cilëve ka dëmtuar rëndë një urë të rëndësishme në qytetin Amatrice.

“Të shpresojmë që ura nuk do të kolapsojë, sepse në të kundërtën, qarkullimi në këtë qytet do të ndërpritet ”, ka thënë kryetari i Amatrices, Sergio Pirozzi.

Përgatitjet për funeralin e së shtunës për dhjetëra viktima, që humbën jetën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, nisën në mëngjes.

Makinat që bartnin arkivolet arritën në sallën e sportit në qytetin e Ascoli Piceno.

Varrmihësit, me kujdes vendosën kurorat e luleve mbi 34 arkivole nga Arqueta del Tronto, dy prej të cilëve bartnin dy fëmijë të vegjël. Në njërën nga kurorat ishte shkruar “Mamma”.

Për këtë cerenomi u vërejtën forca të shtuara të sigurisë, për shkak të pranisë së presidentit italian dhe kryeministrit, bashkë me familjet e tyre për homazhe.

Flamurët në Itali, të shtunën janë ulur në gjysmështizë, në shenjë respekti për viktimat nga tërmeti i fuqishëm.

Vetëm në qytetin Amatrice kanë humbur jetën më shumë se 200 njerëz. Arquata, Accumoli, Pescara del Tronto dhe Amatrice, janë qytetet më të goditura nga kjo fatkeqësi natyrore.

Shumë trupa janë sjellë në një morg të improvizuar në qytetin Rieti, ku familjarët kanë identifikuar më të dashurit e tyre, raporton BBC.

Funerali i parë për njërin nga viktimat e tërmetit u mbajt të premten, ku u varros biri i një zyrtari të shtetit, i cili vdiq në Amatrice.

Të paktën 388 persona janë trajtuar në spital për shkak të plagëve të marra, ndërkaq më shumë se 2 mijë të tjerë janë të pastrehë.

Tërmeti prej 6.2 ballësh goditi rreth 100 kilometra në verilindje të Romës, në orët e para të së mërkurës.

Qeveria italiane është kritikuar se ka dështuar për të parandaluar vdekjet e njerëzve pas tërmetit të vitit 2009, në afërsi të L’Aquila i cili la të vdekur 300 persona.

Qytetet historike italiane nuk janë në përputhje me rregulloret e ndërtimit për anti-tërmete, rregulla të cilat shpesh nuk zbatohen as për ndërtesat e reja.

Përveç fondeve të emergjencës, kryeministri italian Renzi ka anuluar taksat për banorët dhe ka njoftuar për një nismë të re “Shtëpitë Italiane”, për të trajtuar kritikat ndaj ndërtimeve me cilësi të dobët.

Po ai gjithashtu ka thënë se është absurde të mendohet se italia mund të ndërtojë ndërtesa që i mbijetojnë tërmeteve.(m.sadiku)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG