Ndërlidhjet

Rreth 700 raste të reja me kancer për 7 muaj


Qelizat kancerogjene, ilustrim
Qelizat kancerogjene, ilustrim

Në Kosovë, në 7-mujorin e parë të këtij vitit, janë paraqitur 690 raste të reja me kancer. Drejtori i Institutit Onkologjik, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ekrem Hyseni, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ndonëse ka frekuencë të madhe në këtë institut, kushtet e trajtimit dhe mbulueshmëria me barna, është stabile.

“Aparaturat gjatë gjithë kohës ka qenë në funksion, ndërkohë që mjekimi që është ofruar, është ofruar me gjitha modalitetet, duke përfshirë kimioterapinë dhe radioterapinë. Gjithashtu, lista e pritjes është shumë e shkurtër”.

“Ajo që vlen të thuhet është se shërbimet me kimioterapi u janë ofruar edhe pacientëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci. Furnizimi ka qenë stabil gjatë gjithë vitit. Rritja e raportimit të rasteve është shprehur, derisa numri i të prekurve me kancer nga viti në vit është pothuajse i njëjtë”, ka bërë të ditur Hyseni.

Ndërkaq, Arben Bislimi, nga Shoqata e Onkologëve të Kosovës ka bërë të ditur se kanceri i gjirit është patologjia që po shënon rritje. Andaj, siç thotë ai, si Shoqatë e Onkologëve do të marrin një iniciativë nga muaji shtator që të ketë ligjërata vetëdijesuese nëpër komuna, lidhur me këtë sëmundje.

“Duke krahasuar vitin 2015 me këtë vit, duke u referuar në të dhëna të Institutit Onkologjik, ka rritje, ku numri i rasteve të reja me kancer të gjirit është 585. Sipas kësaj shifre, po na del se deri në fundvit do të kemi më tepër se 1100 raste të reja. Pra, kanceri i gjirit po dominon si patologji”.

Ne, si Shoqatë e Onkologëve të Kosovës, aktivitetet tona pretendojmë t’i kemi më aktive nga shtatori, ku do të fillojmë me ligjërata nëpër disa komuna dhe besoj sedo të reflektojmë” , ka thënë Bisimi.

Ai ka shtuar se janë duke shqyrtuar mundësinë e ofrimit të shërbimeve 24 orë në Institutin e Onkologjisë.

“Në muajin shtator, gjithashtu, po pretendojmë të fillojmë me shërbime 24 orëshe. Kjo do të jetë risi dhe do të jetë një e mirë për pacientët tanë”, ka theksuar Bislimi.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.

Ata thonë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si mostymosja e duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive, shkaktohet pikërisht nga tymosja.

Por, janë edhe kontrollet e rregullta mjekësore dhe zbulimi i hershëm që i rrisin shanset për trajtim më të mirë dhe më të lehtë.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG