Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Shënon rritje trafikimi me migrantë


Migrantë nga Lindja e Mesme

Migrantë nga Lindja e Mesme

Me mbylljen e rrugës ballkanike në Maqedoni, janë aktivizuar rrjetet ilegale, të cilët trafikojnë migrantët që vijnë nga viset e përfshira nga lufta në Lindjen e Mesme.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë njoftojnë se vetëm gjatë muajit të fundit janë arrestuar dhjetëra persona, të cilët kanë trafikuar qindra migrantë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, të cilët migrantë si synim kanë vendet e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, nga Komiteti I Helsinkit në Maqedoni, në raportin javor, njoftojnë se janë regjistruar mbi 100 migrantë, të cilët në mënyrë ilegale kanë tentuar ta kalojnë territorin e Maqedonisë dhe të njëjtit janë dërguar në kampin e Tabanocit, prej ku pastaj në mënyrë të organizuar janë kthyer në territorin e Greqisë.

Organizatat humanitare në Maqedoni thonë se me mbylljen e rrugës ballkanike është shumëfishuar dhe çmimi që detyrohen të paguajnë migrantët për të kaluar në mënyrë ilegale territorin e Maqedonisë, nga kufiri me Greqinë në Bogorodicë deri në Tabanoc, kufiri Maqedoni-Serbi.

Trafikimi i migrantëve është bërë biznes shumë i leverdishëm për disa grupe që funksionojnë në Maqedoni. Kjo, sepse migrantët, për shërbime të caktuara për kalimin e territorit të Maqedonisë, u paguajnë shuma marramendëse, ndërkohë që ku ata kapen nga forcat policore të Maqedonisë, ballafaqohen me probleme plotësuese, sepse derisa vazhdon procesi gjyqësor, ata mbeten të bllokuar në qendrat e migrimit”, thotë Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “Legis”, e cila është e përfshirë në dhënien e ndihmës migrantëve.

Rexhepi, si shqetësim ngre dhe shfaqjen e dukurisë së keqpërdorimeve të ndryshme të migrantëve, të cilët nuk kanë mjete të mjaftueshme për të paguar trafikuesit që të kalojnë ilegalisht territorin e Maqedonisë.

“Gjatë aktiviteteve tona në terren, kemi hasur në rrëfime të migrantëve, të cilët na kanë treguar se përderisa nuk kanë pasur para të mjaftueshme për të paguar trafikantët gjatë udhëtimit të tyre në mënyrë ilegale, ata janë keqtrajtuar ose detyruar të hyjnë në borxh që më pas kur të arrijnë në destanicionin e preferuar, me muaj të punojnë për shlyer borxhin që kanë ndaj trafikuesve”, thotë Rexhepi.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore të Shkupit, vetëm gjatë vitit të kaluar janë proceduar 60 lëndë lindur me veprën penale “trafikim i migrantëve”, ndërkohë që 10 persona janë dënuar me burg për këtë vepër dhe dy të tjerëve u janë shqiptuar dënime me kusht.

Por ekspertët juridikë thonë se shteti bën shumë pak për të luftuar dukurinë e trafikimit të migrantëve.

Bashkim Selmani, ish-gjykatës, aktualisht ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se gjatë një hulumtimi të realizuar në këtë lëmi, ka dalë në pah se shteti nuk i shfrytëzon të gjithë mekanizmat që disponon, për të mbyllur kanalet e trafikimit me qenie njerëzore, përkatësisht në rastin aktual, trafikimit të migrantëve.

“Bëhet fjalë për një rrjet shumë të fuqishëm të trafikantëve, të cilët e kanë të shtrirë strukturën, jo vetëm këtu, po edhe jashtë vendit, përfshirë dhe strukturat shtetërore. Maqedonia, si shtet, përfiton nga faktori ndërkombëtar sa i përket thithjes së mjeteve për përkujdesjen e migrantëve, por deri më tani nuk ka ndërtuar një strukturë efikase për realizimin e të drejtave të migrantëve, siç është ndërtimi i një qendre, e cila do të bashkëvepronte me migrantët për të luftuar në mënyrë energjike trafikuesit”.

“Ju e shihni për çdo ditë në rajonin e Kumanovës lëvizin migrantë, të cilët në mënyrë ilegale janë futur në Maqedoni dhe askush nuk ndërmerr asgjë. Dua të them se është vetë aparati shtetëror që me neglizhencën e vet, përkatësisht mostrajtimin e duhur të kësaj dukurie , nxit aktivizimin e trafikimit me migrantë, që paraqet një biznes shumë të leverdishëm”, thekson Selmani.

Ai, njëherësh, thotë se Maqedonia ka harmonizuar legjislacionin sa i përket të drejtave të migrantëve me atë të Bashkimit Evropian, por problemi qëndron në atë se ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat e migrantëve, nuk gjejnë zbatim në praktikë.

“Sa i përket trajtimit të migrantëve, në aspektin e shkruar i ka të gjitha ligjet e harmonizuara, por në terren kemi një realitet të hidhur, sepse në momentin ku shteti nuk vepron, atëherë në dritë dalin për të vepruar keqbërësit”, shton Selmani.

Ndryshe, në Maqedoni në qendrat pranuese të migrantëve Bogodicë dhe Tabanoc, ka të vendosur më pak se 200 migrantë dhe ata thonë se janë në pritje të hapjes së kufijve.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG