Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Zgjidhja e fatit të personave të pagjetur, detyrë urgjente


Ilustrim

Ilustrim

Të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë, ka deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Zgjidhja e fatit të të pagjeturve paraqet një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë, ka thënë Thaçi, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Personave të Zhdukur, më 30 gusht.

“Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo çështje “rëndon familjet e të pagjeturve, por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve, por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë”.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, ka thënë Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se nuk kalon ditë që nuk i kujton të pagjeturit.

“Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërkaq, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre”, ka deklaruar ai.

Sipas presidentit të Kosovës, janë këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi që të punohet që të mos lejohet më të përsëritet lufta, por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve.

XS
SM
MD
LG