Ndërlidhjet

logo-print

Shteti Islamik humb strategun e sulmeve

  • RFE /RL

Abu Muhammad al-Adnani

Abu Muhammad al-Adnani

Shefi i strategjisë së grupit militant Shteti Islamik, i cili ka bërë thirrje për sulme kundër Perëndimit gjatë muajit të Ramazanit, është vrarë në Siri.

Agjencia e lajmeve Amaq, e cila është e lidhur me Shtetin Islamik, tha se Abu Muhammad al-Adnani ka vdekur në provincën Alepo.

Pentagoni konfirmoi se një sulm ajror ka goditur Adnanin në qytetun Al Bab dhe se rezultatet janë duke u vlerësuar.

Raportet për vdekjen e tij vijnë në kohën kur Shteti Islamik ka pësuar disa humbje edhe në Siri, edhe në Irak.

Adnani, i cili ishte edhe zëdhënës i grupit, “u matirizua derisa inspektonte operacionet për zmbrapsjen e fushatave ushtarake në Alepo”, tha agjencia Amaq pa dhënë detaje të tjera.

Luftimet në Alepo janë intensifikuar javëve të fundit; rebelët kanë thyer një rrethim nga forcat qeveritare, ndërsa avionët ushtarakë sirianë dhe rusë kanë gombarduar zonat e kontrolluara nga rebelët.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha përmes një deklarate se Adnani ka qenë “arkitekti kryesor i operacioneve të jashtme” të Shtetit Islamik.

“Ai ka koordinuar lëvizjet e luftëtarëve të Shtetit Islamik, ka inkurajuar sulme ndaj civilëve dhe pjesëtarëve të ushtrisë dhe ka rekrutuar në mënyrë aktive anëtarë të rinj”, tha Cook.

“Largimi i al-Adnanit nga fusha e betejës do të shkaktonte një goditje tjetër të madhe për Shtetin Islamik”, shtoi Cook.

Në qershor të vitit 2014, al-Adnani ka shpallur zyrtarisht krijimin e kalifatit islmaik në disa pjesë të Sirisë dhe Irakut, nën udhëheqjen e Abu Bakr al-Baghdadit.

Thirrjet e al-Adnanit për sulme gjatë muajit të Ramazanit, këtë vit, kanë çuar në gjakderdhje masive. Ndjekësit e tij kanë sulmuar një klub nate në Orlando të SHBA-së, pastaj një turmë njerëzish në Nicë të Francës dhe kanë kryer sulme masive me bomba në Bagdad.

Adndani ka transmetuar një deklaratë famëkeqe nga Shteti Islamik, gati dy vjet më parë, duke u bërë thirrje myslimanëve që jetojnë në Perëndim që të sulmojnë kudo.

“Nëse mund të vrisni një jobesimtar amerikan ose evropian, sidomos një francez të ndyrë, ose australian, ose kanadez, përfshirë edhe qytetarë të vendeve që kanë hyrë në koalicion kundër Shtetit Islamik, atëherë mbështeteni Allahun dhe vrisni”, ka thënë Adnani.

Adnani për herë të fundit është dëgjuar në një audio-mesazh në muajin maj, duke bërë po ashtu thirrje për sulme kundër Perëndimit.

Kombet e Bashkuara, të cilat kanë pasur Adnanin në listën e terroristëve të dyshuar, e kanë përshkruar atë si udhëheqës të Shtetit Islamik në Siri dhe shef të operacioneve të tij të jashtme.

Zyrtarët amerikanë po ashtu thonë se ai ka qenë njëri nga luftëtarët e huaj, i cili ka kundërshtuar praninë e forcave amerikane në Irak, pas pushtimit më 2003.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG