Ndërlidhjet

logo-print

Whitehead: Trump është i rrezikshëm


Margaret Whitehead

Margaret Whitehead

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka një numër të madh mbështetësish të zëshëm, saqë krijohet përshtypja se e gjithë Amerika e përkrah.

Margaret Whitehead, nga Instituti Hudson në Uashington, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Donald Trump është mjeshtër për paraqitjen në publik apo media, televizion, Twitter e të tjera… Ai flet me gjuhën e njerëzve të thjeshtë, me gjuhën që flitet në shtëpi. Kandidatja tjetër, Hillary Clinton, flet me gjuhë të politikanëve të arsimuar, ka sjelljen e atyre që janë në pushtet. Kështu që Trump, përballë saj, duket njeri i thjeshtë, që adreson nevojat e përditshme dhe dëshirat e amerikanëve. Por, nëse flasim për shanset e tij që të zgjidhet, nuk mendoj se i ka të mira”.

Margaret Whitehead ka shërbyer në Zyrën e Zonjës së Parë, Barbara Bush. Ajo është në mesin e atyre intelektualëve amerikanë që tradicionalisht kanë votuar për Partinë Republikane. Por, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, nuk do të veprojë ngjashëm.

“Ka shumë arsye për këtë, e në vend të parë është siguria kombëtare. Kemi qenë dëshmitarë të dështimeve të tij (Trumpit) në këtë sferë dhe kjo i ka frikësuar shumë njerëz. Njerëz nga të dyja partitë, përfshirë ish-sekretarët e shtetit, Henry Kissinger dhe James Baker, kanë shkruar një letër, duke protestuar kundër Trumpit dhe duke theksuar se ‘nuk do të ishte gjë e mençur zgjedhja e tij’. Asnjëherë në historinë e zgjedhjeve tona nuk kemi pasur letër të tillë. Kjo tregon se njerëzit janë të shqetësuar. Mendoj se ai është i rrezikshëm”, thotë Whitehead në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Shumë vëzhgues thonë se trendi republikan i mbështetjes së anti-intelektualizmit ka kulmuar me emërimin e Trumpit si kandidat presidencial.

Whitehead pajtohet dhe thotë se fushata për zgjedhjet e sivjetme është ndër më të shëmtuarat në SHBA. Whitehead e cilëson atë si “turp” për secilin amerikan.

“Duket sikur kemi humbur qëllimet tona, sikur kemi shkatërruar njerëzit që kanë përvojë në diskutime për çështje të rëndësishme. Në rastin e Trumpit, ai nuk ka pasur as platformë politike deri vonë, gjë që është e padëgjuar në politikën amerikane”, thotë Whitehead.

Trump shquhet edhe për retorikë të ashpër. Ai ka thënë se do të dëbojë nga SHBA-ja të gjithë migrantët e paligjshëm, se do t’iu ndalojë hyrjen myslimanëve dhe se do të ngrejë mur në kufi me Meksikën.

Trump po ashtu ka thënë se do të bashkëpunojë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Sipas disa analistëve, zgjedhjet e sivjetme në SHBA janë shumë interesante, pasi Hillary Clinton është një kandidate e aftë që nuk është e preferuar në masa, ndërsa Trump është i paaftë, porse populli e do.

“Në vendvotime, kjo do të jetë një dilemë e madhe”, thotë Whitehead. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG