Ndërlidhjet

Kosova në "krizë të thellë" drejt ridefinimit të skenës politike


Foto: Bekim Bislimi
Foto: Bekim Bislimi

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që të tërheq projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, është cilësuar si lëkundja e parë e koalicionit qeveritar, pas afro dy vjet bashkëpunimi në pushtet.

Madje është vlerësuar se vendi duhet të bëhet gati për të ecur në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme për të tejkaluar dallimet e krijuara prej muajsh.

Opozita dhe analistët politikë në vend ndajnë mendimin se Kosova ka hyrë në krizë të thellë politike dhe shpëtimi, sipas tyre, është përmes një procesi të ri zgjedhor i cili do të prodhonte një qeveri të re.

Por, për partitë në pushtet, tërheqja e projektligjit për demarkacion nuk tregon shenja të dobësimit, por të pjekurisë politike të koalicionit qeverisës. Ato thonë se nuk ka asnjë arsye për të ecur në rrugën e zgjedhjeve.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Zenun Pajaziti, tha për Radion Evropa e Lirë se vendi aktualisht nuk është në krizë politike.

"Kosova ka institucione stabile. Po funksionojnë të gjitha. Nuk kemi ndonjë pengesë që do të mund ta çonte ose konsideronte vendin se po shkon kah kriza. Po punojmë që agjenda shtetërore e vendit të shkojë përpara. Jemi një koalicion i cili i duhet vendi për të punuar më shumë në proceset integruese në Evropë", tha Pajaziti duke shtuar se PDK-ja është duke i dhënë mbështetje kryeministri Mustafa për t'i shtyrë përpara proceset e rëndësishme.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri konsideron se aktualisht nuk ka krizë politike. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë dhe do të vazhdojë të qeverisë vendin.

"Nuk ka krizë politike të përmasave të tilla që mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Thënë edhe me shkurt nuk mendojmë se ka krizë politike", tha Beqiri.

Por, për dallim prej pushtetit, që e ka vlerësuar pozitivisht punën e tij, partitë në opozitë thonë se në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme, në mënyrë që siç thuhet, vendi të dalë nga kriza politike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Kosova për më shumë se një vit ndodhet në krizë politike për shkak tënjë, sic thonë, “qeverie të dobët”.

Ahmet Isufi nënkryetari i kësaj partie tha për Radion Evropa e Lirë se Kosovës ndodhet në krizë politike dhe ketë krizë siç shprehet ai e ka krijuar qeverisja aktuale.

"Kriza është thelluar në Kosovë me vet faktin se kemi të bëjmë me një qeveri të dobët e cila nuk po mund të funksionojë dhe përmes interesimit për ta dirigjuar parlamentin po benë gabime. Kështu që kemi të bëjmë më një jo funksionalitet të institucioneve prandaj zgjedhjet janë të pa shmangshme", tha Isufi.

Edhe analistët politikë konsiderojnë se Kosova prej muajsh ndodhet në krizë politike. Artan Muhaxhiri analist i çështjeve politike konsideron se dallimet e thella politike mes partive politike për muaj të tërë e kanë futur Kosovën në një krizë dhe dallimet e mëdha ndërmjet pushtetit dhe opozitës e kanë bllokuar vendin.

"Këto çarje, këto kriza dhe këto dallime të jashtëzakonshme ndërmjet pozitës dhe opozitës e pamundësojnë funksionimin normal të spektrit politik kosovar dhe e pamundësojnë zhvillimin e punës normale në Kuvendin e Kosovës", tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri thotë se asnjëra palë nuk ka vullnet dhe energji për të përmirësuar situatën dhe si rrjedhojë, thotë ai, zgjedhjet e reja janë zgjidhja e vetme.

"Prandaj gradualisht është duke u bërë e qartë se njëra ndër zgjidhjet më optimale do të ishte caktimi i zgjedhjeve të reja dhe ridefinimi i skenës politike", tha Muhaxhiri.

Koalicioni qeverisës në Kosovë PDK- LDK po përballet me një nga vendimet më sfiduese që nga themelimi, e që ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, por edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumice serbe në Kosovë.

Të dy këto procese kundërshtohen nga partitë politike opozitare, që thonë se e shndërrojnë Kosovën në një shtet jofunksional.

Koalicioni i qeverisës në Kosovë, PDK-LDK, u krijua në fund të vitit 2014, pas një krize pothuaj gjashtë mujore, që krijoi edhe mosdurimin politik në vend. Koalicioni u përball me protestat e opozitës që prej fillimit të punës së tij dhe së fundi u detyrua të tërheqë projektligjin nga Kuvendi me arsyetimin e “mungesës së kushteve” për ta votuar atë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG