Ndërlidhjet

Kryeministri i Italisë kritikon fushatën për fertilitet


Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, u distancua nga një fushatë e ministers së tij të Shëndetësisë, Beatrice Lorenzin, e cila inkurajon çiftet të lindin më shumë fëmijë.

Në një reklamë, një grua mban një orë me rërë me fjalët: “Bukuria nuk ka limit moshe. Fertiliteti ka”.

Renzi tha se askush prej miqve të tij nuk ka vendosur të ketë më shumë fëmijë pasi ka parë këtë reklamë.

Ai tha se një punë e qëndrueshme dhe kujdesi ditor janë çelësi i rritjes së popullsisë së vendit.

“Nëse dëshironi të krijoni një shoqëri që investon në të ardhmen e saj dhe ka fëmijë, duhet të siguroni kushtet themelore”, shtoi Renzi.

Kritikët e fushatës thonë se ka shumë arsye përse gratë italiane kanë më pak fëmijë, përfshirë papunësinë e lartë, pagat e ulëta dhe të drejtat e pakta në maternitet.

Italia ka një popullsi në plakje, me vetëm 488,000 foshnje të lindura në vitin 2015, më pak se në çdo vit tjetër prejse është themeluar shteti modern në vitin 1861.

Vitin e kaluar, Italia ka pasur normën e fertilitetit 1.35 fëmijë për grua, në krahasim me mesataren e BE-së prej 1.6.

Ministrja Lorenzin, e cila e ka përshkruar si "apokaliptike" rënien e normës së lindjeve në Itali, ka urdhëruar tashmë ndryshime në fushatën online.

"Nuk kemi dashur të fyejmë apo provokojmë askënd. Nëse mesazhi nuk është pranuar siç kemi dashur, do të ndryshojmë atë", ka thënë Lorenzin.

XS
SM
MD
LG