Ndërlidhjet

logo-print

Uzbekistani në zi, varros presidentin Karimov

  • RFE /RL

Mijëra njerëz kanë dalë përgjatë rrugës, nëpër të cilën kalonte kortezhi me arkivolin e presidentit të ndjerë Islam Karimov

Mijëra njerëz kanë dalë përgjatë rrugës, nëpër të cilën kalonte kortezhi me arkivolin e presidentit të ndjerë Islam Karimov

Është varrosur të shtunën president uzbek Islam Karimov, vetëm një ditë pasi qeveria njoftoi për vdekjen e tij në moshën 78-vjeçare.

Karimov, i cili ndërroi jetë nga hemorragjia në tru, është varrosur pas ceremonisë fetare islame- në të cilën morën pjesë mijëra njerëz, përfshirë këtu edhe krerë të lartë shtetëror.

Karimov është varrosur në qytetin e tij të lindjes Samarkand. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë kryeministri rus, Dmitry Medvedev, presidenti afgan Ashraf Ghani, presidenti taxhik Emomali Rohman dhe liderë të tjerë. Kazakinistani dhe Kirgizia, dërguan kryeministrat e tyre në ceremoninë e varrimit.

Kryeministri uzbek, Shavkat Mirizyaev, që u përcaktua në krye të komisionit organizativ të varrimit, gjatë fjalimit të tij, e ka quajtur Karimovin “themelues të shtetit” dhe “djalë të madh të kombit”.

Më herët gjatë ditës, televizioni shtetëror ka shfaqur pamje të njerëzve, të cilët kanë përcjellë kortezhin mortor, ku arkivoli i Karimovit ishte i mbështjellë me flamur kombëtar.

Gruaja e Karimovit, Tatyana dhe vajza e tij Lola Tillyaeva-Karimova, kanë përcjellë arkivolin gjatë rrugës nga aeroporti i Samarkandit për në shtëpinë e familjes Karimov.

Vajza tjetër e Karimovit, Gulnara, e cila është raportuar se është në arrest shtëpiak në vitin 2014 nën akuza për korrupsion, nuk është parë gjatë ceremonisë së varrimit.

Uzbekistani kishte njoftuar për vdekjen e Karimovit të premten, pas dy ditësh raportime, të cilat sugjeronin se lideri uzbek tashmë kishte vdekur.

Televizioni shtetëror uzbek ka thënë se Karimov ka vdekur në Tashkent rreth orës 20:00 sipas kohës lokale, pas hemorragjisë në tru.

Qeveria ka shpallur tri ditë zie.

Karimov ka sunduar në Uzbekistan për 27 vjet, duke përdorur forcat e sigurimit dhe të inteligjencës së vendit, që ta mbajnë vendin nën kontroll.

Kushtetuta e Uzbekistanit thekson se nëse presidenti nuk është në gjendje që të kryejë detyrat e tij, kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit e merr autoritetet presidencial për një periudhë prej tre muajsh. Në këtë pozitë në Uzbekistan është Nigmatulla Yuldashev.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka shprehur ngushëllime Yuldashevit, duke thënë se vdekja e Karimovit është një “humbje e madhe për Uzbekistanin”.

“Unë jam në zi për humbjen e një miku me të cilin kam punuar për 30 vjet”, ka thënë presidenti kazak, Nursultan Nazarbajev.

Presidenti kinez, Xi Jinping, i cili kishte vizituar Tashkentin në qershor, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e Karimovit, të cilin e ka cilësuar “mik të vërtetë”, i cili, sipas tij, ka bërë “ndryshime historike” në zhvillimin dhe prosperitetin e Uzbekistanit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se në “këtë kohë të vështirë, SHBA-ja rikonfirmon mbështetjen për njerëzit e Uzbekistanit”.

“Teksa Uzbekistani fillon një kapitull të ri në historinë e tij, SHBA-ja qëndron e përkushtuar për bashkëpunimin me Uzbekistanin, për sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen bazuar në të drejta për të gjithë njerëzit”, thuhet në deklaratën e Obamas.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG