Ndërlidhjet

logo-print

“Vdekjet e menaxhuara” të liderëve autoritarë

  • RFE /RL

Uzbekistani mezi ka nxjerrë fjalë për shëndetin e përkeqësuar të presidentit Islam Karimov, por kjo nuk është për t’u befasuar.

Në shtetet totalitare, ku pushteti është kryesisht në duart e një individi, vdekja e liderit mund të trondisë shoqërinë: kush dhe çka vjen pas?! Për ata që synojnë pushtetin, çdo vonesë mund të jetë përfitim.

Lideri sovjetik, Yuri Andropov, ka vdekur në moshën 70-vjeçare nga dështimi i veshkave. Ai veçmë kishte probleme shëndetësore kur ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, më 12 nëntor të vitit 1982.

Ai ka vuajtur nga diabeti dhe në shkurt të vitit 1983 ka pësuar dështim të veshkave. Në atë kohë, Kremlini nuk e ka zbuluar këtë fakt. Pak ditë pas vdekjes së Andropovit, më 9 shkurt, 1984, agjencia Tass ka zbuluar se Andropov ka qenë në dializë qysh në shkurt të vitit 1983, kur veshkat e tij kanë ndaluar së punuari.

Edhe sundimi i presidentit të Azerbajxhanit, Heydar Aliyev, si gjatë kohës sovjetike, ashtu edhe në atë post-sovjetike, është shoqëruar me probleme shëndetësore, por pak është raportuar zyrtarisht. Aliyev ka pësuar sulm në zemër më 1987 dhe më 1999 ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për një bajpas në zemër. Qytetarët kanë nisur të kuptojnë se diçka nuk është në rregull në prill të vitit 2003 kur Aliyev është rrëzuar gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

Shërbimi për media i presidentit e kishte minuar incidentin, duke thënë se Aliyev ka humbur ekuilibrin pasi i ka rënë tensioni i gjakut. Por, në gusht të vitit 2003, Aliyev është shtruar në spital në SHBA për trajtimin e problmeve me zemër. Në atë kohë, adiministrata Aliyev ka nisur edhe të bartë përgjegjësitë te djali i tij, Ilham. Heydar Aliyev ka vdekur në dhjetor të po atij viti, pasi ka sunduar Azerbajxhanin post-sovjetik për më shumë se një dekadë.

Lideri i Turkmenistanit të pavarur, Saparmurat Niyazov, ka krijuar një nga figurat më të çuditshme në ish-Bashkimin Sovjetik. Ai e ka shpallur veten Turkmenbashi, apo Baba të Turkmenëve, ndërsa statujat dhe portretet e veta i ka ngritur kudo.

Është thënë se Niyazov ka vuajtur nga problemet në zemër për disa vite, por mediat nuk e kanë përmendur kurrë një gjë të tillë. Vetëm në nëntor të vitit 2006, vetë Niyazov ka pranuar se vuan nga një sëmundje e zemrës. Një muaj më vonë, ai ka vdekur në moshën 66-vjeçare. Televizioni shtetëror turkmen ka njoftuar më 21 dhjetor, 2006, se Niyazov ka vdekur nga sulmi i papritur në zemër, por aktivistët e opozitës kanë thënë se ai ka vdekur tri ditë më herët.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me dikatorin sovjetik, Josef Stalin, i cili ka vdekur më 5 mars, 1953, pas një sulmi të madh në kokë. Lajmi për sëmundjen e tij është publikuar vetëm një ditë para vdekjes.

Pas sulmit, Stalin është lënë vetëm nga shoqëruesit për disa orë, nga frika se mund të akuzohen për pëkeqësim të gjendjes së tij. Udhëheqja sovjetike në atë kohë ka qenë në dilemë se çfarë të bëjë, pasi vdekja e Stalinit ka qenë e paimagjinueshme. Kremlini ka pritur gjashtë orë për të njoftuar botën për vdekjen e tij.

Edhe diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong-il, i cili ka çuar vendin e tij në mjerim dhe uri, ka vdekur nga sulmi në zemër më 17 dhjetor, 2011. Por, media shtetërore verikoreane ka dhënë lajmin dy ditë më vonë, më 19 dhjetor.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG