Ndërlidhjet

logo-print

Turqi: 3.4 miliardë dollarë investim për rindërtimin e juglindjes


Kryeministri turk Binali Yildirim

Kryeministri turk Binali Yildirim

Turqia do të investojë 10 miliardë lira (3.4 miliardë dollarë), në rindërtimin e zonave në juglindje, që banohen nga kurdët. Këto zona janë dëmtuar nga luftimet e ashpëra në mes të militantëve dhe forcave turke, ka thënë sot kryeministri turk, Binali Yildirim.

Pjesa juglindore e Turqisë është goditur nga një valë e madhe e dhunës, pas prishjes së armëpushimit vitin e kaluar, në mes të Ankarasë dhe luftëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), raporton Reuters.

Qeveria turke më herët ka vlerësuar se rreth 6 mijë ndërtesa janë shkatërruar gjatë operacioneve ushtarake dhe ka thënë se rindërtimi i tyre kushton 1 miliardë lira (345 milionë$).

“Ne do të investojmë 10 miliardë lira”, ka thënë kryeministri turk, gjatë fjalimit në Diyarbakir, i cili është qyteti më i madh në rajon.

“Në vend të riparimit të objekteve të shkatërrura nga PPK ne do të ndërtojmë shtëpi të bukura”, ka shtuar ai.

Yildirim ka thënë se qeveria do të investojë në shtatë qendra të provincave që gjenden në juglindje, duke ndërtuar shtëpi, xhami dhe spitale.

Qeveria turke gjithashtu do të rindërtojë qarkun historik të Sur, që gjendet në Diyarbakir.

Muret nga koha romake në Sur, janë nën përkujdesjen e UNESCO-s.

XS
SM
MD
LG