Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se tekstet shkollore, e në veçanti edhe ato të historisë, janë rishikuar edhe sivjet, në mënyrë që të eliminohet gabimet eventuale, të çfarëdo formati.

Por, si mësohet historia në shkollat në Kosovë?

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Qeverisë së Kosovës, Anila Statovci - Demaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se për përpilimin e teksteve shkollore të historisë aplikohet marrëveshja ndërministrore, që është edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe që përcakton kornizat se si të rrëfehet historia në shkolla.

Në këtë drejtim, sipas saj, parimi tjetër është mos mbjellja e gjuhës së urrejtjes dhe që historia të tregohet në mënyrë neutrale dhe e mbështetur mbi faktet.

“Mbi këto parime, jemi munduar që t’i mbajmë librat tanë dhe mendoj që në këtë rishikimin e parë, të cilin e kemi bërë tani, bukur shumë i kemi vënë në ato kornizat e mëdha, se si të rrëfehet historia. Prej vitit të ardhshëm, 2017/ 2018, jemi të bindur që do ta realizojmë edhe shkrimin e teksteve të reja, në të cilat, një për një, do tu përmbahemi këtyre rregulloreve, të destinuara sipas Bashkimit Evropian. Do të mundohemi që fëmijët tanë t’i mësojmë në mënyrë faktike, të gjykohet me argumente dhe assesi me gjuhë të urrejtjes dhe me emocione”, thotë Anila Statovci – Demaj.

Profesori i historisë, Frashër Demaj, nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, autor dhe bashkautor i disa teksteve shkollore të historisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tekstet shkollore të historisë përpilohen nga profesionistët dhe në to paraqiten faktet me referencë shkencore.

Megjithatë, sipas tij, që nga viti 2011, historianët e angazhuar në përpilimin e teksteve shkollore të historisë, i ishin nënshtruar presionit, siç e quan ai, politik, për ndryshimin e këtyre teksteve. Ky presion, siç thotë ai, kishte nisur nga ana e ministrit të atëhershëm të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në bashkëpunim me Ambasadën turke në Kosovë.

“Dhe kur asnjë lloj metode e presionit nuk ka dhënë rezultat, ministri i atëhershëm Buja pati formuar një komision me njerëz të dëgjueshëm të tij, gjoja për rishikimin e teksteve shkollore të historisë dhe që ai komision të bënte punën e tij. Praktikisht, kjo shërbente si një kërcënim për autorët e teksteve shkollore. Mirëpo, ne asnjëherë nuk kemi ra pre e këtyre presioneve”, thotë Demaj.

Presioni i tillë, sipas profesor Demajt, është bërë për të hequr disa terme, me të cilat është përshkruar Perandoria Osmane ose i janë atribuuar forcave të saj, në librat shkollorë të historisë në Kosovë.

Lidhur situatën që e përshkruan profesor Demaj, zëvendësministrja Statovci-Demaj thotë se ka pasur diskutime, të cilat janë përmbyllur në mënyrë të suksesshme.

“Një pjesë e komenteve të cilat ata i kanë bërë, kanë qenë me të drejtë. Kemi eliminuar ato gjuhë, të cilat mund të ngjallin urrejtje të panevojshme ose që mund të perceptohen si fyerje më tepër se çka do tjetër, si për shembull ‘hordhi’ ose fjalë të ngjashme. Për pjesën tjetër, ku ekspertët tanë nuk kanë qenë të pajtimit se ato janë fakte ose se deformohen faktet e atëhershme, nuk i kanë pranuar ekspertët tanë dhe ashtu mbeten në librat tonë të historisë”, thotë ajo.

Në anën tjetër, nxënësit e komunitetit serb në Kosovë, mësimin e ndjekin sipas plan-programit arsimor të shtetit të Serbisë dhe rrjedhimisht edhe lëndën e historisë, përmes teksteve me të cilat shërbehen nxënësit në Serbi.

Dubravka Stojanoviq, profesoreshë e Historisë së përgjithshme në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Beogradit, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas viti 2010 ka mjaft tekste mësimore alternative të historisë, për klasë të ndryshme në shkollat në Serbi.

Sipas, saj, kjo e ka përmirësuar qasjen ndaj historisë, në mënyrën dhe me gjuhën se si prezantohet ajo. Por, megjithatë, sipas saj, disa gjëra kanë mbetur të njëjta me dekada.

“Kjo është historia etnocentrike, ashtu siç është edhe gjithkund në rajon. Kjo është histori, përmes së cilës vetvetja prezantohet si viktima më e madhe, kryesisht nga ana e popujve fqinj. Kështu insistohet në të gjitha situatat që e ushqejnë këtë tezë. Në anën tjetër, në paraqitjen e historisë nuk ka situata në të cilat ka pasur bashkëpunim ose diçka të përbashkët me popujt tjerë”, ka theksoi Stojanoviq.

Ajo shton se problem më i madh është prezantimi i luftërave të viteve 90, të shekullit të kaluar, në rajon dhe në Serbi. Sipas saj, ato luftëra, shkaktarët dhe rrjedhat, paraqiten në të njëjtën mënyrë sikurse edhe para shpërthimit të tyre, po edhe gjatë kohës sa kanë zgjatur. Shkaktarët, siç ka thënë Stojanoviq, janë prezantuar në të njëjtën mënyrë me të cilën i ka prezantuar propaganda e Slobodan Milosheviqit apo Franjo Tugjmanit.

Profesor Demaj shpreh mendimin se popujt e Ballkanit konsumojnë histori, siç e përshkruan ai, më tepër se që e kanë bërë në të vërtetë atë histori.

“Por, sidoqoftë, faktet historike dhe aktualiteti, na çon drejt një të vërtete historike, se populli që ishte praktikisht më i viktimizuari në Ballkan, janë shqiptarët. Ishin të atakuar në jug, në veri dhe në të gjitha anët”, shton ajo.

Zëvendësministrja Statovci - Demaj ka theksuar se në opinion, por edhe te historianët në Kosovë, janë evidentuar pakënaqësi lidhur me faktin se tek tekstet shkollore të historisë, në të cilat mësojnë nxënësit e komunitetit serb, ekziston gjuha e urrejtjes, përmes mënyrës së si mësohet historia në ato tekste. Deri më tash, sipas saj, nuk ka pasur përpjekje apo bisedime formale ndërmjet zyrtarëve të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, lidhur me, siç thuhet, shkarkimin e teksteve shkollore të historisë nga gjuha e urrejtjes. (REL)

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG