Ndërlidhjet

Kontestohet përkatësia etnike e Nënës Terezë nga Akademia maqedonase


Ilustrim

Ilustrim

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Taki Fiti, në kuadër të akademisë solemne kushtuar shenjtërimit të Nënës Terezë, tha se Gonxhe Bojaxhiu rrjedh nga një familje e përzier etnike.

“Ngjarja e jetës së Nënë Terezës dëshmon se në hapësirat tona kanë jetuar në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike. Ajo rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier nacionale.”

“Mesazhet e thella humane nga vepra dhe angazhimi i Nënë Terezës sot duhet të jenë të thurura në të gjitha segmentet dhe poret e jetës sonë, në jetën e zakonshme, në shkencë, kulturë, politikë e kështu me radhë. Andaj, ne sot në Akademinë e Shkencave, si tempull i shkencës dhe artit, flasim për humanizmin shoqëror që inkorporon vlerat universale të humanitetit”, është shprehur kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Taki Fiti.

Duke komentuar këtë realitet, anëtari shqiptar i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Izet Zeqiri, pas këtij manifestimi tha për Radion Evropa e Lirë se shenjtërimi i Nënës Terezë, përkatësisht aktivitetet e shumta që organizohen nga institucionet shtetërore vetëm në gjuhën maqedonase, pa përfshirjen e shqiptarëve, kanë nxjerrë në pah edhe më shumë mostolerancën ndëretnike në Maqedoni.

“Nëna Terezë thoshte se popujt nuk kanë nevojë për bukë aq sa kanë nevojë për dashuri...duket qartazi se në qytetin e saj të lindjes ka më shumë nevojë për dashuri, tolerancë dhe respekt të ndërsjellë mes qytetarëve të etnive të ndryshme.”

“Në Maqedoni, çdo popull niset nga kohezioni nacional, por duhet të pranohet botërisht se Nëna Terezë ka qenë shqiptare, se prejardhja e saj është shqiptare dhe këtë duhet ta thonë dhe autoritet e shtetit pa hezitim, sepse ajo është pjesë e kulturës shqiptare dhe veprat e saja historikisht i përkasin kontributit të shqiptarëve nga Shkupi ku ajo lindi dhe u formësua si personalitet, deri sa u nis në misionin e saj”, ka deklaruar Zeqiri.

Në kuadër të akademisë solemne, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Maqedonisë, kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë, foli dhe Ipeshkvi i Kishës Katolike në Shkup, Kiro Stojanov, duke shmangur gjatë tërë fjalimit përkatësinë e saj kombëtare.

“Si Ipeshkëv i Kishës Katolike do të fokusohem të flas për gruan më të madhe të qytetit tonë. Bashkëqytetarja jonë Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, pikërisht nga ky qytet,Shkupi, kultivoi frymën humaniste, që u bë më pas dhe mision i jetës së saj”, tha ai.

Ndërsa ministrja maqedonase e Kulturës, Elizabeta Kamceska Mileska, tha se në kuadër të ditëve kushtuar Nënës Terezë shumë institucione të vendit janë duke realizuar aktivitete të shumta, që në fokus kanë madhështinë e humanistes që i dha aq shumë botës.

Por, Anton Sereçi, përfaqësues i katolikëve shqiptarë në Maqedoni, tha se institucionet maqedonase duhet të turpërohen me veprimet e tyre duke i mbyllur dyert për shqiptarët katolikë, madje edhe në rastet kur përfaqësohen vlerat e këtij komuniteti.

“Jam shumë i revoltuar, dua të potencoj se në shtëpinë memorialetë Nënës Terezë nuk ka të punësuar asnjë shqiptar...Ministra e Kulturës sapo tha se 800 mijë vetë e kanë vizituar atë shtëpi...atëherë pyes kush ka dhënë informacione për jetën dhe identitetin e Nënës Terezë, ku janë të punësuar vetëm maqedonas dhe serbë. Çka mendoni se tregojnë ata duke pas parasysh se drejtuesit e institucioneve në Maqedoni thonë se Nëna Terezë është shkupjane,por tërë kohën ata (maqedonasit) hezitojnë ta thonë zëshëm përkatësinë etnike të saj?!"

"Unë nuk e kam të qartë heshtjen e partive politike shqiptare kundrejt këtij realiteti, sepse e dimë se gjithçka shkon përmes partive politike, që një institucion i tillë të udhëhiqet nga shqiptarët”, nënvizon Anton Sereçi, studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

Nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë, komuna e Shkupit, në kuadër të ditëve të Nënës Terezë, nga 4 shtatori deri më 11 shator, organizon një varg solemnitetesh kushtuar jetës dhe veprës së saj, si shfaqjen e filmave, ekspozita, mesha, akademi shkencore. Por, shqiptarët pothuajse janë të papërfaqësuar në këto ngjarje. Përfaqësuesit e partive politike nuk kanë dashur të komentojnë mungesën e tyre në këto aktivitete, por edhe emrave nga jeta kulturore dhe shkencore e shqiptarëve të Maqedonisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG