Ndërlidhjet

logo-print

Forcat qeveritare të Sirisë dyshohet se kanë hedhur bomba fuçi, të mbushura me klor, në periferi të Alepos, duke plagosur 70 veta.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut tha se sulmi ka ndodhur në lagjen Sukkari, e cika kontrollohet nga rebelët.

Mbrojtja Civile Siriane, një grup i vullnetarëve të emergjencës, ka postuar video në Facebook, të cilat tregojnë fëmijët duke përdorur maska oksigjeni për të marrë frymë.

Grupi ka akuzuar qeverinë për dy sulme të dyshuara me gaz klori, muajin e kaluar. Damasku i ka mohuar gjithmonë akuzat për përdorim të armëve kimike gjatë luftës pesëvjeçare.

Një hetim i udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, në muajin gusht, ka gjetur se forcat qeveritare siriane kanë qenë përgjegjëse për dy sulme me gaz toksik në vitin 2014 dhe 2015.

Komisioni i Pavarur Hetues i OKB-së dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike është duke vazhduar hetimet edhe për disa sulme të tjera kimike, të raportuara në Siri. Anëtari i komisionit, Vitit Muntarbhorn, ka dhënë më shumë detaje:

“Kemi marrë informacione të besueshme në lidhje me përdorimin e gazit të klorit në lagjen Sheik Maksud të Alepos, veçanërisht në fillim të prillit. Po ashtu jemi duke hetuar akuzat e reja për përdorim të armëve kimike në një incident në gusht”.

Përdorimi i klorit në armë është i ndaluar me Konventën e Armëve Kimike. Nëse përqëndrime të larta të klorit hyjnë në mushkëri, atëherë mund të vijë deri te vdekja.

Rusia, aleate e Qeverisë siriane, ka akuzuar rebelët për qitje të predhave me gaz toksik në zonat që kontrollohen nga qeveria në Alepo.

Alepo është një nga zonat e goditura më së keqi nga dhuna, muajt e fundit. Forcat qeveritare e kanë vënë pjesën lindore të Alepos nën rrethim të dielën, për herë të dytë qysh në muajin korrik. Qyteti, për kohë të gjatë, ka qenë i ndarë në zona të qeverisë dhe të opozitës.

Të martën, autoritetet turke kanë bërë thirrje për armëpushim në Alepo, që do të vazhdonte gjatë Festës së Bajramit, e cila nis të hënën. Zëdhënësi i Qeverisë së Turqisë, Ibrahim Kalin, ka thënë se presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka folur me homologët nga SHBA-ja dhe Rusia në lidhje me armëpushimin.

Erdogan po ashtu ka përsëritur thirrjet për krijimin e zonës së ndalim-fluturimit në Siri, përkatësisht midis qyteteve Azaza dhe Jarablus të provincës Alepo, me qëllim mbrojtjen e civilëve. Turqia kërkon një zonë të tillë qysh në vitin 2014.

Konflikti në Siri ka lënë të vrarë mbi 250,000 veta dhe ka detyruar mbi 11 milionë të tjerë të ikin nga shtëpitë. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG