Ndërlidhjet

Asnjë i mbijetuar nga rrëzimi i avionit në Shkup


Nuk ka të mbijetuar në fatkeqësinë ajrore që ndodhi të martën, 10 kilometra në jug të aeroportit të Shkupit. Kanë humbur jetën të gjithë gjashtë personat që ndodheshin në bordin e avionit të vogël sportiv me mbishkrime gjermane, që fluturonte nga Italia me destinacion, Prishtinën.

Ngjarja është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka ndërmarrë të gjitha aktivitetet për zbardhjen e plotë të rastit”.

“Tani ka filluar pjesa më dinamike e hetimit të rastit që udhëhiqet nga prokuroria publike, së bashku edhe me përfaqësues të institucioneve tjera, përfshirë edhe institutin e mjekësisë ligjore. Pas dokumentimit të plotë të rastit do të përcaktohet të gjitha dëshmitë dhe faktet mbi këtë tragjedi. Detaje tjera do të publikohen pas zbardhjes së plotë të kësaj tragjedie ajrore”, ka deklaruar Mitko Çavkov, drejtor i Byrosë së Sigurimit Publik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zyrtari i policisë, zyrtarisht nuk publikoi detaje mbi identitetin e viktimave, por paraprakisht në një brifing me gazetarë tha se pesë nga personat që kanë humbur jetën janë italian dhe një tjetër kosovar, por edhe ai me shtetësi italiane.

Detaje të njëjta kanë prezantuar edhe mediet duke transmetuar njoftimet e Agjencisë italiane të lajmeve ANSA, se në bordin e avionit të rrëzuar afër Shkupit ishin pesë shtetas Italian dhe një kosovar.

Fatkeqësia ajrore ka ndodhur të martën rreth orës 18.45 minuta, bazuar në njoftimet që kanë marrë autoritetet nga banor të fshatit Kozhle, afër Shkupit, të cilët kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm pas çka kanë njoftuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes ku edhe kanë gjetur pjesët e avionit të rrëzuar.

Paraprakisht Prokuroria Publike kishte njoftuar nisjen e hetimeve të cilat po zhvillohen me vështirësi për shkak të terrenit të vështirë dhe reshjeve të pandërprera të shiut. Hetuesit kanë gjetur mbetje të trupave të cilat do të dërgohen për autopsi në Institutin e mjekësisë ligjore në Shkup.

“Pas informatave të marra, Prokuroria publike, në koordinim me institucionet kompetente ka ndërmarrë masa për përcaktimin e vendit të fatkeqësisë, sigurimin e lokalitetit dhe nisjen e hetimeve. Po grumbullohen informata dhe fakte relevante për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, avioni i vogël sportiv kishte kërkuar të ateronte në aeroportin e Shkupit për tu furnizuar me korezinë dhe për të vazhduar më tej fluturimin drejt Prishtinës. Avioni ishte nisur nga Trevizo e Italisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG