Ndërlidhjet

Mustafa kërkon dialog për Demarkacionin, opozita rifillim nga pika zero


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar fillimin e një raundi bisedimesh me opozitën dhe me Listën Serbe për sqarimin e të gjitha dilemave para se të ri-procedohet për në kuvend, projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ky paralajmërim i kryeministrit, nga përfaqësuesit e opozitës nuk po kuptohet ende si një nismë konkrete që do të premtonte fillimin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive në lidhje me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Por, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se do t’ju takoj të gjithë akterët në mënyrë që të sqarohen të gjitha dilemat para se ai të ri-dërgojë Projektligjin në Kuvend për ratifikim.

“Do të bisedoj edhe me opozitën, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën dhe Vetëvendosjen. Po ashtu, do të bisedojmë edhe me Listën Serbe para se të procedojmë tutje në mënyrë që t’i shterim të gjitha opsionet”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Mustafa e ka përjashtuar mundësinë që të pranoj kushtëzime qoftë nga Lista Serbe apo opozita.

“Nëse ka diçka që na kushtëzohet unë do ta bëj publike. Nuk ka kushte as nga Lista e as nga të tjerët, por ne do të mundohemi që këtë çështje ta zgjidhim në bazë të fakteve dhe argumenteve”, është shprehur Mustafa.

Në anën tjetër, partitë opozitare thonë se nisma e kryeministrit tash për tash mbetet në suaza të një deklarate për media, ngase në adresë të partive opozitare konfirmohet se nuk ka ndonjë ftesë për bisedime.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj thotë se kryeministri është vonuar për një vit që të konsultohet me të gjitha subjektet politike, ndonëse edhe pas deklaratës së fundit, ai nuk sheh se ka një ide konkrete për bisedime.

“E para, besoj unë që do të duhej të ndodhte, është që kryeministri të pranonte publikisht gabimet që janë bërë në procesion e shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Mendoj që kjo është pika fillestare e çdo takimi, e çdo nisme për t’i dhënë një zgjidhje kësaj teme e cila e ka mbajtur vendin për më gjatë se një vit peng”, ka thënë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Tutje, Nitaj thotë se Komisioni shtetëror për Demarkacion ka bërë gabime. Andaj, ai beson se procesi i Demarkacionit duhet të nis nga fillimi.

“Ky proces duhet të rifillojë. Duhet të rishqyrtohet dhe duhet të korrigjohen gabimet më të mëdha që janë bërë në shënjimit e kufirit. Tërheqja e dy pikave për të cilat kemi pasur ekspertizë ne si parti politike opozitare, por edhe ekspertët e pavarur se kufiri duhet të tërhiqet në Çakor dhe Kullë dhe ky do të duhej të ishte pozicioni fillestar për të diskutuar me këndo qoftë”, ka theksuar Nitaj.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka sqaruar se ai tashmë ka biseduar me kryetarët e komunave që kufizohen me Malin e Zi nga të cilët kishte kërkuar “që të dëshmojnë nëse kanë ndonjë vërejtje se ndonjë pjesë e territorit të këtyre komunave është cenuar me marrëveshjen për Demarkacionin”.

Nismat e reja politike të kryeministrit, Isa Mustafa për të kërkuar një konsensus politik rreth Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, kanë pasuar zhvillimet në seancën e 1 shtatorit në kuvendin e Kosovës, ku në mungesë të votave dhe për shkak të gjendjes së rënduar politike, ishte detyruar ta tërhiqte ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin nga votimi.

Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, është nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 në Vjenë. Sipas dy protagonistëve kryesor nga pala kosovare, ish ministri i Jashtëm përkatësisht presidenti aktual, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa, marrëveshja është e drejtë dhe reale.

Por, ndryshe mendon opozita e cila pretendon se me anë të kësaj marrëveshje, Kosova do të humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Së fundit, ishte edhe Lista Serbe ajo e cila nuk e mori pjesë në seancën për ratifikimin e marrëveshjes, duke kërkuar paraprakisht nga kryeministri dhe qeveria e Kosovës që t’i diskutojnë disa çështje politike, të cilat kjo Listë i konsideron në interesin e komunitetit serb që jeton në Kosovë. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG