Ndërlidhjet

Arrihet marrëveshja për ripërtëritje të armëpushimit në Siri


Sergei Lavrov dhe John Kerry gjatë takimit për Sirinë, 9 shtator 2016.
Sergei Lavrov dhe John Kerry gjatë takimit për Sirinë, 9 shtator 2016.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë arritur marrëveshje për ripërtritjen e armëpushimit në Siri, derisa së bashku do të punohet për t'u shkaktuar disfatë grupeve terroriste atje dhe ta krijojnë bazën për bisedime paqësore.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, duke qëndruar së bashku me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, mbrëmë vonë në Gjenevë, tha se beson se ky plan do të ndihmoj në “ndaljen e konfliktit” dhe mund të shënoj “pikë të kthesës” në luftën civile gjashtëvjeçare, nëse marrëveshja zbatohet me përpikëri nga të gjitha palët.

“Sot Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po e shpallin planin i cili ne shpresojmë do ta reduktoj dhunën, lehtësoj vuajtjet dhe vazhdoj lëvizjen kah negociatat për paqe dhe tranzicion politik në Siri”, tha John Kerry, një ditë pas bisedimeve maratonike në Gjenevë.

Kerry ka theksuar se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia dhe kolegu im kanë aftësi për të bërë presion ndaj regjimit për ta ndalur këtë konflikt dhe për të arritur paqe në tryezë”.

Kjo marrëveshje për armëpushim do të hyjë në fuqi me perëndimin e Diellit më 12 shtator, që është dita e parë e festës myslimane të Bajramit.

Nëse armëpushimi do të respektohet për një javë, atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë të punojnë së bashku për të ndërmarrë sulme ushtarake kundër Fronit Nusra, që është e ndërlidhur me al-Kaidën, dhe grupit, Shteti Islamik, ka thënë John Kerry.

“Ne duhet të shkojmë kundër këtyre terroristëve”, tha Kerry dhe ka shtuar se “jo në mënyrë joproporcionale, por në mënyrë strategjike, precize dhe të mençur, në mënyrë që ata nuk do të munden t’i shfrytëzojnë bombardimet joproporcionale të regjimit që t’i tubojnë njerëzit në mbështetje të krimeve të tyre të urrejtjes”.

Kjo marrëveshje u bë disa orë pas shqyrtimeve brenda administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, lidhur me pranimin ose jo të parimeve në këtë marrëveshje.

Përfundimisht, të dy palët u pajtuan për hapat që kërkohen që Siria t’i ndalë misionet e fluturimeve ushtarake gjithkund ku opozita është e pranishme në një hapësirë për të cilën arrihet marrëveshja, ka thënë John Kerry.

“Duke i ndalur të gjitha aktivitetet ushtarake ajrore të regjimit në hapësirat kryesore - ato që janë të definuara, e jo të gjitha fluturimet, pasi atje është ende al-Nusra dhe ISIL-i, por ato që do të menaxhohen në mënyra të ndryshme – dhe kjo duhet t’i ndalë bombat-fuçi, përfundimin e bombardimeve joproporcionale të lagjeve civile dhe kjo ka potencial për ta ndryshuar natyrën e konfliktit. A do të arrihet kjo apo jo, varet nga bashkëpunimi”, tha John Kerry.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia e ka informuar Qeverinë e Sirisë për aranzhimet dhe se regjimi është i gatshëm për t’i plotësuar ato.

“Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e marrin obligim që të bëjnë çdo gjë të mundshme për angazhim dhe që palët pjesëmarrëse të bashkëpunojnë me aranzhimet në këtë dokument. Siç thash, qeveria e Sirisë është informuar nga ne për këto aranzhime dhe ajo është e gatshme për t’i plotësuar ato”, tha Lavrov.

Sekretari Kerry ka thënë se grupet opozitare kanë indikuar se janë të përgatitura për bashkëpunim lidhur me këtë marrëveshje, nëse qeveria e Sirisë tregon se është serioze.

Opozita kryesore siriane, Komiteti i Lartë për Negociata (HNC), e ka përshëndetur marrëveshjen, duke thënë se marrëveshja përfundimisht do ta përfundoj përvojën e tmerrshme të civilëve, “nëse ajo do të zbatohet”.

Zyrtarët e Pentagonit për javë të tëra kanë shprehur pakënaqësi për punën me Rusinë në Siri.

Pentagoni tha se në mënyrë të kujdesshme do ta monitorojë bashkëpunimin me këtë marrëveshje të armëpushimit dhe masat e tjera preliminare, para se ta kryej pjesën e vet.

“Këto përkushtime duhet të përmbushen plotësisht para se të ndodhë çfarëdo bashkëpunimi potencial ushtarak”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook.

Zoti Lavrov tha se nëse armëpushimi respektohet për një javë - dhe “nuk është 100% e garantuar se ai do të respektohet – atëherë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë sulme të koordinuara kundër al-Nusrës dhe IS-it.(REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG