Ndërlidhjet

Thaçi: Në përvjetorin e sulmeve terroriste qëndrojmë me SHBA-të


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

“Në përvjetorin e 15-të të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, ne jemi pranë popullit mik amerikan për të ndarë me të dhimbjen për humbjen e mbi 3 mijë qytetarëve të pafajshëm, si dhe për të shprehur angazhimin tonë të palëkundur përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e përkujtimit të sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator 2001.

Mëtutje, zoti Thaçi në rrjetin Facebook, ka shprehur “respektin tonë për fuqinë e madhe shpirtërore të këtij kombi madhështor, i cili e përballoi këtë tragjedi me kurajë e fisnikëri, dhe dhimbjen e ktheu në forcë për të luftuar terrorizmin”.

Presidenti Thaçi konsideron se këto “akte mizore terroriste ishin sulm ndaj mbarë botës së lirë e demokratike, që synonin të shkelnin mbi parimet dhe vlerat humane universale, të cilat ne i konsiderojmë të shenjta e të paprekshme, prandaj ne i jemi mirënjohës shtetit amerikan për udhëheqjen e luftës kundër terrorizmit botëror”.

Ai mëtutje ka përkujtuar se “në ato sulme humbën jetën edhe tre bashkëkombës tanë, Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, gjë që tregon se terrorizmi na kërcënon të gjithë e nuk njeh fe, racë apo komb”, dhe ka shtuar se “kjo ditë përkujtuese duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një thirrje kundër dhunës, jotolerancës, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit”.

XS
SM
MD
LG