Ndërlidhjet

Borxhet vazhdojnë të rriten, standardi jetësor të bjerë


Ilustrim @Shutterstock

Ilustrim @Shutterstock

Borxhi i Maqedonisë vazhdon të rritet pavarësisht kritikave të shumta, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertët dhe opinioni më i gjerë në vend. Pas marrjes së 450 milionë eurove borxh në muajin korrik, Qeveria e Maqedonisë ka njoftuar për marrjen e një borxhi të ri prej 30 milionë eurosh nga shitja e letrave me vlerë.

Sipas ekzekutivit, këto para që pritet të sigurohen nga kreditorët vendorë, do të shpenzohen për shlyerjen e detyrimeve financiare, por pa saktësuar nëse bëhet fjalë për paga apo shlyerje të borxheve të vjetra.

Nga Ministria e Financave kanë thënë se “gjendja me borxhet nuk është aq kritike sa që raportohet në media, pasi Maqedonia nuk bie në grupin e shteteve me borxhe të larta”.

Enti Shtetëror i Statistikës ka njoftuar se në tremujorin e dytë, rritja ekonomike ka arritur në 2.2 për qind, por nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, vlerësojnë se kjo rritje nuk e përmirëson aspak gjendjen e rëndë ekonomike.

“Që të ketë rritje të standardit jetësor rritja duhet të jetë më së paku mbi 5 për qind”, thonë nga LSDM-ja.

Ekspertët thonë se gjendja e këtillë është pasojë e marrjes pa kriter të borxheve dhe shpenzimit të parave të marra në projekte joproduktive. Se gjendja nuk është e volitshme, flet edhe fakti se brenda vitit kemi dy rishikime të buxhetit, thotë Fatmir Bytyçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Në mënyrë konstante kemi projektime të buxheteve me një deficit prej 3.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Edhe më parë dihej se ky ritëm nuk do të sjellë një rritje ekonomike të dëshiruar që qytetarët ta ndjenin në mënyrë pozitive”.

“Ne kemi një situatë kur në një periudhë 9 mujore miratojmë dy rishikime të buxhetit. Me këtë qytetarëve çdo ditë e më shumë iu rritet borxhi që shteti e merr në emër të tyre. Vlerësoj se vitin 2016 do ta mbyllim me huamarrje ende më të madhe”, vlerëson Bytyçi.

Ndërkohë, nga qeveria në vazhdimësi janë lavdëruar me investime të huaja, por duke heshtur rastet e largimit të disa kompanive të kishin vendosur të investojnë në sektorin e elektronikës, por edhe në sfera tjera.

Profesori i ekonomisë, Vanço Uzunov, nuk pret jo vetëm investime, por edhe zhvillim ekonomik, për shkak të politikave jo të mira qeveritare, por edhe për shkak të mungesës së stabilitetit të përgjithshëm për shkak të krizës politike.

Ai thotë se të gjitha premtimet që bëhen kanë për qëllim pikët politike, tani në prag të zgjedhjeve të dhjetorit.

“Kjo tani më është dëshmuar se premtimet e dhënë në kohë të zgjedhjeve nuk do të thotë se janë të vërteta. Nuk pres që të keni investime deri në fund të vitit. Ato mund të paraqiten, por vetëm nga vera e ardhshme, kur pritet të ketë një pasqyrë më të qartë të gjendjes politike pasi duhet të kihet parasysh se edhe në pranverë kemi zgjedhje lokale. Pra në aspektin ekonomik, nuk pres ndonjë ndryshim të gjendjes momentale”, thekson Uzunov.

Nga ana tjetër, Fatmir Bytyçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se gjendja ekonomike, në të cilën ndodhet Maqedonia, nuk mund të zgjasë edhe shumë për shkak të uljes së standardit jetësor të qytetarëve.

“Kjo politikë nuk mundet të vazhdojë, politika tjetër do të jetë ajo e tkurrjes së investimeve, tkurrje të shpenzimeve që tradicionalisht nuk janë pranueshme si masë stimuluese sociale. Atëherë mendoj se qytetarët do ta ndiejnë në lëkurën e vet këtë gjendje të rëndë pasi me të ardhurat që marrin, e kanë vështirë të mbyllin 10 ditë të muajit, e jo më një muaj të tërë”, shton Bytyçi.

Borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë ka arritur në rreth 5 miliardë euro dhe prej tyre 1.8 miliardë euro në gjashtë vitet e fundit. Politikat ekonomike të Maqedonisë në vazhdimësi janë kritikuar nga institucionet relevante financiare ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG