Ndërlidhjet

Mungesa e dialogut të brendshëm rrezikon proceset politike


Një nga seancat në Kuvendin e Kosovës

Një nga seancat në Kuvendin e Kosovës

Në Kosovë mungon dialogu i brendshëm politik i cili do të trajtonte temat e interesit nacional, thonë analistët. Ndër temat kryesore që do të përfshiheshin në dialog me qëllim të arritjes së një konsensusi të përgjithshëm, përmenden bisedimet me Serbinë dhe të gjitha marrëveshjet që prodhojnë ato, pastaj marrëveshjet tjera ndërkombëtare, siç ishte rasti me Demarkacionin me Malin e Zi, integrimet evropiane, si dhe çështjet tjera, si formimi i Forcave të Armatosura, reformat zgjedhore e kushtetuese e të ngjashme.

Për analistin Driton Selmanaj, dialogu i mirëfilltë politik në Kosovë ka munguar për 15 vite. Kjo mungesë e dialogut, sipas tij, vjen si pasojë e varësisë së klasës politike nga faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë shumë aktiv në vitet e para të pas luftës, si dhe nga mungesa e vullnetit për dialog te spektri politik i Kosovës.

Po ashtu, thekson ai, ka një mungesë të një kulture politike, e cila për pasojë sjell fenomenin e krijimit të kauzave të vogla në kauza të mëdha nacionale, të cilat nuk marrin përgjigje as zgjidhje.

Ndërkaq, nisur nga rasti i dialogut të munguar për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që çoi në tensione të shumta politike për një vit rresht, Driton Selmanaj thotë se si pushteti ashtu edhe opozita nisen nga kërkesat maksimaliste të cilat që në start duken të pa shpresa se do të përfundojnë me ndonjë rezultat.

“Nuk mund të bëhet kompromis nëse të dyja palët që në start janë të barrikaduara në pozicione të ngurta. Mendoj që do të duhej të kishte kërkesë të sinqertë dhe të thuhet hajde të diskutojmë për dilemat të cilat i kemi të dyja palët dhe më pas të provojmë të japim zgjidhje”.

“Deri më sot, pothuajse të dyja palët kanë thënë; hajde të bëjmë bisedime, por ashtu siç të themi ne. Të dialogosh do të thotë që secila palë të dëgjojë palën tjetër dhe më pas të arrihet një përfundim”, thekson Selmanaj.

Mos trajtimi i problemeve politike, qoftë në kuadër të institucioneve, siç është Kuvendi, apo forumeve e nismave tjera, sipas analistëve po rrezikon jo vetëm proceset politike, por edhe vet gjendjen e tërësishme të sigurisë në vend, duke u bërë potencial i tensioneve të panevojshme.

Analisti Belul Beqaj thotë se Kosova për një kohë të gjatë po zhvillon bisedime me Serbinë, të cilat nuk po sjellin ndonjë përfundim të qartë. Andaj, sipas tij, detyrimisht që do të duhej të hapej edhe një dialog të brendshëm politik, i cili do t’i trajtonte çështjet e interesin nacional.

Fakti që për një vit në Kosovë është thelluar ndasia, janë thelluar pakënaqësitë politike, të shoqëruara edhe me ngritje të tensioneve, e bën edhe më të nevojshëm vendosjen e dialogut, thotë Beqaj. Fillimisht, nënvizon ai, ka nevojë për një dialog i cili do të ishte në funksion të uljes së tensioneve.

“Unë mendoj se tensionet aq të larta mund të përfundojnë me konflikte, prandaj për fazën e parë si rezultat konkret i dialogut do të ishte vetëm shtendosja e tensioneve, të cilat janë ngritur brenda një periudhe relativisht të gjatë”, thotë Beqaj.

Një dimension tjetër i dialogut të brendshëm politik në Kosovë është ai i vendosjes së një komunikimi me përfaqësuesit e komuniteteve, sidomos atij serb, ngase shumë procese kërkojnë domosdo edhe votën e minoriteteve në Kuvend, siç është rasti me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe ndryshimet kushtetuese në përgjithësi.

Përveç çështjeve të ndjeshme politike, mungesa e dialogut, nga shumë njohës të zhvillimeve të brendshme politike, është vlerësuar si pengesë e përparimeve të Kosovës në zhvillimin e reformave kushtetuese dhe atyre zgjedhore. (REL)

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG