Ndërlidhjet

Obama: Mund të tërhiqemi nga marrëveshja për Sirinë


Rruga Castello - kjo rrugë duhet të ishte e lirë, që t’i lejojë civilët të lëvizin nëpër këtë rrugë kryesore.
Rruga Castello - kjo rrugë duhet të ishte e lirë, që t’i lejojë civilët të lëvizin nëpër këtë rrugë kryesore.

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund të largohen nga marrëveshja e armëpushimit për Sirinë, që u arrit javën e kaluar, nëse Siria nuk lejon që ndihmat humanitare të arrijnë për njerëzit në Siri.

Pas takimit që Obama pati me ekipin e sigurisë kombëtare më 16 shtator, Shtëpia e Bardhë, përmes një deklarate për media, ka treguar se presidenti Obama “shpreh shqetësim të thellë, se pavarësisht se dhuna në mbarë Sirinë është zvogëluar, regjimi sirian vazhdon të mos lejojë që në vend të hyjnë ndihmat humanitare”.

Obama ka theksuar se, “Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë me hapa të mëtejmë të marrëveshjes së arritur me Rusinë, përderisa të shohim që në shtatë ditët e ardhshme do të zvogëlohet dhuna dhe të ketë qasje që ndihma humanitare të arrijë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Kjo deklaratë e presidentit Obama, vjen pasi Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i ka thënë homologut rus, Sergei Lavrov, se Uashingtoni nuk do të pajtohet që të ndërmerren sulme të përbashkëta ndaj militantëve islamikë në Siri, siç është paraparë në armëpushimin njëjavor, derisa Siria të lejojë qasjen e ndihmave humanitare.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, ka thënë se Kerry dhe Lavrov kanë biseduar në telefon për atë se Shtetet e Bashkuara presin që Moska të përdorë ndikimin që ka te presidenti sirian Bashar al-Assad, që t’i “lejojë konvojet me ndihmat humanitare të Kombeve të Bashkuara të arrijnë në Alepo dhe në zonat e tjera ku është e nevojshme”.

“Vonesat e vazhdueshme, të cilat nuk po lejojnë që konvojet me ndihma të arrijnë në Siri janë të papranueshme”, ka thënë sekretari Kerry.

Ultimatumi i SHBA-së ndaj Rusisë vjen në kohën kur SHBA-ja dhe Rusia, në mënyrë të papritur anuluan një takim të planifikuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mbi marrëveshjen e armëpushimit në Siri. Kjo shenjë tregon se situata lidhur me armëpushimin që hyri në fuqi më 12 shtator, është duke u tensionuar.

Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se në tri ditët e para pasi armëpushimi hyri në fuqi, ka pasur rënie të dhunës.

Por, më 15 shtator u raportuan vrasjet e para në mesin e civilëve, ndërkaq një ditë më vonë, tre persona të tjerë u vranë nga sulmet ajrore në provincën Idlib, që kontrollohet nga rebelët.

Predha, po ashtu, janë hedhur nga kryengritësit në dy fshatra të banuara me shiitë, ndërkaq luftime ka pasur edhe në lindje të Damaskut.

Por, problemi më i madh nga kjo marrëveshje është se qeveria siriane ka refuzuar që të lejojë OKB-në të dërgojë ndihma në zonat e mbajtura nga rebelët në Alepo, të cilët janë të rrethuar nga forcat pro-qeveritare. Në këtë zonë vlerësohet se janë 300 mijë civilë, të cilët kanë mbetur pa ushqim dhe gjëra të tjerë të nevojshme.

OKB-ja ka fajësuar qeverinë siriane, se nuk po i lejon konvojet që të hyjnë në vend, duke mos ua njohur dokumentet që ua mundësojnë qasjen në Siri.

Edhe një tjetër dispozitë e marrëveshjes së armëpushimit nuk është duke u zbatuar, pasi forcat qeveritare siriane janë rikthyer në pozicionet e tyre përgjatë rrugës Castello, ku më parë ishin tërhequr, pasi në marrëveshje thuhet se kjo rrugë duhet të jetë e lirë, që t’i lejojë civilët të lëvizin nëpër këtë rrugë kryesore.

Zëvendësshefi i operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm rus, Viktor Poznikhir, ka thënë se trupat ruse kanë rikthyer tanket, automjetet e blinduara dhe janë vendosur në pozicionet e tyre paraprake. Ai ka thënë se ata po sulmohen me predha nga grupet opozitare.

Përderisa ka thënë se Rusia është e gatshme të zgjasë edhe për 72 orë armëpushimin, nëse pajtohet edhe SHBA-ja, Poznikhir ka paralajmëruar Uashingtonin se situata në terren “mund të dalë jashtë kontrollit”, nëse rebelët që mbështeten nga SHBA-ja nuk e respektojnë armëpushimin dhe të largohen nga ky rrugë e rëndësishme.

Ai ka thënë se ushtria siriane ka respektuar në tërësi marrëveshjen e armëpushimit, përderisa forcat opozitare e kanë shkelur atë plot 144 herë.

Ne presim që SHBA-ja të marrë masa, me qëllim që të ndikojë te grupet e armatosura që të respektojnë marrëveshjen”, ka theksuar ai.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin, ka thënë se anulimi i takimit në OKB është bërë për shkak se SHBA-ja nuk ka qenë e gatshme që të paraqesë para anëtarëve të Këshillit të Sigurisë, dokumente të detajizuara mbi dispozitat e marrëveshjes së armëpushimit.

Ne besojmë se nuk mund t’u kërkojmë anëtarëve të OKB-së të mbështesin dokumente që nuk i kanë parë”, ka thënë Churkin.

Ndërkaq, misioni i SHBA-së në OKB ka thënë se takimi është anuluar, pasi nuk kanë rënë dakord me Rusinë mbi mënyrën se si do të informojnë Këshillin duke mos vënë në rrezik “sigurinë operacionale të marrëveshjes”.

Pavarësisht akuzave kundrejt SHBA-së, Churkin ka thënë se Kerry dhe Lavrov do të mbajnë disa takime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që mbahet javën e ardhshme dhe njëri prej këtyre takimeve do të zhvillohet me pjesëtarët e Grupit Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG