Ndërlidhjet

Deklarata për refugjatët: Janë zhgënjyer miliona njerëz


Udhëheqës botërorë nga 193 vende kanë miratuar Deklaratën për migrantët dhe refugjatët në samitin e parë të OKB-së të dedikuar për këtë çështje, që zhvillon punimet në margjinat e Asamblesë së përgjithshme të OKB-së në New York.

Deklarata e New York-ut për migrantët dhe refugjatët, një dokument 22 faqësh, nuk përmban obligime konkrete dhe nuk obligon ligjërisht, por ju bën thirrje shteteve që të mbrojnë të drejtat e njeriut të refugjatëve, të nxisin ndihmën humanitare dhe të rrisin nivelin e pranimit të refugjatëve.

Qëllimi i deklaratës është, siç njoftojnë mediat, që të standardizohen përgjigjet rreth gjendjes me refugjatët dhe të sigurohet një shkollim më I mirë dhe punësim për refugjatët.

Gjithashtu thekson faktin edhe të vendstrehimit të refugjatëve dhe përfshinë edhe planet për fushatën e luftës kundër ksenofobisë.

Por, përfaqësuesit e agjencive për të drejtat e njeriut kanë kritikuar deklaratën për shkak se ajo, siç thuhet, nuk përmban obligime konkrete.

Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zeid Raad al Husein, ka përshëndetur konsensusin e arritur politik me miratimin e Deklaratës, por ka tërhequr vëmendjen se nuk duhet të ketë vetëkënaqësi me atë që është bërë.

"E vërtetë e hidhur është fakti se samiti është thirrur sepse në një masë të madhe ne kemi zhgënjyer. E kemi zhgënjyer popullin e përvuajtur të Sirisë me faktin se nuk e kemi ndërprerë atë luftë që në fillim. I kemi dëshpëruar të tjerët në zonat tashmë të konfliktit. Kemi zhgënjyer miliona migrantë që meritojnë më shumë se sa një jetë të shënuar me vuajtje, zhgënjim dhe me mungesë të dinjitetit që prej lindjes deri në vdekje”, ka porositur komisioneri i OKB-së liderët botëror.

Ai tha se “shumica sikur kanë harruar dy luftërat botërore, dhe cfarë ndodhë kur gjysme të vërtetat dhe gënjeshtrat sjellin frikë dhe hidhërim”.

Edhe sekretari I përgjithshëm i Amnesty International, Salil Shetty ishte po aq kritik sa edhe al Husein.

"Në vend që të ndajnë përgjegjësinë, liderët botërorë po i ikin asaj. Samitin e OKB-së e kanë sabotuar shtetet duke vepruar në interes të tyre dhe duke lënë miliona refugjatë gjithandej botës në një gjendje të rëndë në prag të humnerës”, tha Shetty.

Ai tha se Deklarata vetëm sa e shtyn përgjegjësinë duke u thirrur në marrëveshje globale për refugjatët dhe migrantët që duhet të miratohen brenda dy vitesh.

Edhe kryeministri i Libanit, Tammam Salam dhe ai i Greqisë, Aleksis Cipras, kanë bërë thirrje që OKB-ja dhe gjithë bota të ndihmojnë vendet që kanë dhënë numrin më të madh të refugjatëve.

Madje Cipras tha se “nëse bashkësia ndërkombëtare nuk gjen një zgjidhje do të ketë ndikime sociale e politike gjithandej, jo vetëm në Greqi”. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG