Ndërlidhjet

Maqedonia ndërmjet unitarizmit dhe konceptit qytetar


Hapja e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe nga partia më e madhe e opozitës, Lidhja Social-Demokrate në Maqedoni, sikur edhe qëllimi i saj që në zgjedhjet e dhjetorit të garojë me një koncept qytetar me përfshirjen e shoqërisë së gjerë pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare, tani më disa ditë ka nxitur debate e reagime nga më të ndryshmet në vend.

Reagimet ndaj një koncepti të tillë, kryesisht kanë ardhur nga VMRO-DPMNE-ja, që drejtohet nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, por edhe nga qarqe të ndryshme intelektuale ndërsa diaspora maqedonase që kontrollohet nga VRMO-ja në disa shtete madje ka organizuar edhe protesta.

Kundërshtimet kryesisht kanë të bëjnë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe duke e konsideruar si një akt që do të rrënonte themelet e shtetit maqedon.

Por, nga opozita si bartëse e konceptit qytetar, thonë se akuzat e tilla nuk mbajnë pasi programi i saj forcon demokracinë dhe shtetin ligjor, ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë.

Radmilla Sheqerinska, nënkryetare e LSDM-së, thotë se për partitë në partitë në pushtet nuk është problem gjuha apo ndonjë e drejtë tjetër, por frika nga humbja e pushtetit, të cilët vazhdojnë të mbajnë me politikat e tyre të aktrimit të frikës dhe përçarjes.

“Me programin tonë, ne përçojmë mesazhin se më nuk do të lejojmë që njerëzit e njëjtë, politikat e njëjta të frikës dhe ndarjeve, të diktojnë mënyrën e jetesës. Ajo që na ka ndodhur ditëve të fundit dëshmon se si partitë në pushtet dëshirojnë të qeverisin me vendin. Ato të cilat aktrojnë se gjoja zihen, kurse pas skenave qeverisin shumë mirë, kur janë në pyetje interesat partiake dhe të biznesit".

"Nuk është e vërtetë se problemi kryesor qëndron tek përdorimi i gjuhës. Qytetarët e Maqedonisë janë të lodhur nga politikat përçarëse, nga krizat artificiale, pasi ata dëshirojnë punë, mirëqenie sociale, të kenë arsim cilësor, shërbim shëndetësor të mirë, paga të mira”, thotë Radmilla Sheqerinska, nënkryetare e LSDM-së.

Por, Sashko Todorovski, një intelektual maqedonas dhe nëpunës në Ministrinë e Punëve të Jashtme thotë se konceptet e tilla rrënojnë karakterin unitar të shtetit maqedon.

“Çfarë nënkupton koncepti qytetar? A do të thotë kjo se gjuha shqipe dhe maqedonase do të jenë të barabarta dhe se unë do të jem i detyruar të mësoj dhe flas gjuhën shqipe? Si do rregullojmë këtë në korrelacion me shtetin unitar? Ne harrojmë një fakt, jo vetëm me kushtetutat e kaluara, por edhe me ndryshimet e bëra pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Maqedonia është shtet unitar. Pra, ne duhet të ndërtojmë një koncept i cili në asnjë mënyrë nuk do të rrezikonte karakterin unitar të shtetit”, thotë Todorovski.

Por, ndryshe nga ai, Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin Fon të Shkupit. Ai thotë se koncepti i LSDM-së është koncept evropian.

“Çdo shtet që pretendon konceptin evropian duhet të ketë për bazë konceptin e shtetit qytetar, që nënkupton përveç të drejta të individit që janë shumë të rëndësishme, edhe të drejta të kolektive".

"Në opsionin tjetër kundërshtar kemi opsionin gjoja nacionalist, që është një opsion maskues, që në esencë është krimi i organizuar dhe të vetmen kartë të lojës e kanë nacionalizmin dhe shovinizmin dhe synojnë të mbeten në pushtet duke vazhduar me të gjitha keqpërdorimet që janë zbuluara nga afera e përgjimeve të opozitës”, thotë Bilalli duke pranuar se koncepti i opozitës maqedonase do të has në vështirësi të shumta për shkak të të kaluarës së mbushur me armiqësi dhe kundërthënie nga më të ndryshmet.

Lidhja Sociale-Demokrate pritet që në ditët në vijim të publikojë më shumë të dhëna për për frontin e zgjeruar me përfshirjen në radhët e saj të përfaqësuesve të të gjitha bashkësive etnike.

Ajo nga dita e hënë komunikimin me mediat kanë nisur të bëj edhe në gjuhën shqipe. Për herë të parë, ajo komunikatat për opinion i ka nisur edhe në gjuhën shqipe, që shënon veprimin e parë të një partie politike maqedonase. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG