Ndërlidhjet

Pushteti qendror më pak transparent nga ai vendor


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet shtetërore në Maqedoni janë gjithnjë e më të mbyllura ndaj taksapaguesve kur bëhet fjalë për mënyrën e shpenzimeve të mjeteve nga buxheti i shtetit.

Qendra për komunikim me qytetarë, në bazë të një hulumtimi ku janë përfshirë 97 institucione, ka nxjerrë në pah se vetëm 45 për qind e tyre publikojnë informacione për punën e tyre në ueb faqet zyrtare, duke u përfshirë në të ashtuquajturën “transparencë aktive”.

Me “transparencën aktive” nënkuptohet prezantim i informatave në iniciativë vetanake të institucioneve, pa parashtruar dikush tjetër një kërkesë për informata me karakter të qasjes së lirë.

Baza ligjore për transparencë aktive të institucioneve gjendet para së gjithash në ligjin për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, por edhe në një sërë ligjesh tjera, siç janë ligji për vetëqeverisje lokale, ligji për buxhet, ligji për borxhin publik, ligji për financim të njësive të vetëqeverisjes lokale, e kështu me radhë.

Hulumtimi në fjalë ka nxjerrë në pah se institucionet në nivel lokal janë më trasparente krahasuar me ato në nivel qendror, përkatësisht ministritë dhe vetë qeverinë.

Për nga transparenca prinë komuna e Kriva Pallankës dhe pas saj radhitet ajo e Velesit, Manastirit dhe Strumicës, komuna këto me shumicë maqedone.

Përderisa si ministri nivelin më të kënaqshëm ka treguar Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, që në disa mandate udhëhiqet nga përfaqësues shqiptarë, kurse më jo transparente është vlerësuar Ministria për Ekonomi, që po ashtu udhëhiqet nga përfaqësues shqiptarë.

German Fillkov, nga Qendra për Komunikim me Qytetarë, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se institucionet më pak transparente janë aty ku bëhet fjalë për shpenzimin e mjeteve nga buxheti.

“Institucionet shumë vështirë japin informacione kur kemi të bëjmë me shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit. Drejtuesit e institucioneve akoma nuk e kanë kuptuar se qytetarët kanë të drejtë të dinë për çdo qindarkë të shpenzuar nga buxheti i institucioneve."

"Pra, mungon vullneti i institucioneve që ata vetë t`a informojnë opinionin për atë se ku kanë përfunduar paratë e taksapaguesve, pa e kërkuar këtë dikush nga ata, duke u thirrur në ligjin për qasje deri tek informacionet me karakter publik”, thotë German Fillkov.

Ndërkaq, Dako Antiq, nga organizata joqeveritare ECE, vlerëson se është e drejtë kushtetuese e qytetarëve të kenë qasje në informacionet me karakter publik, por të dhënat flasin se gjatë tre viteve të fundit është rritur dukshëm numri i kërkesave të qytetarëve për të kërkuar informacione, sepse institucionet këtë gjë nuk e bëjnë në mënyrë vetanake, edhe pse obligohen me ligj.

“Numri i ankesave rritet nga viti në vit. Gjatë vitit 2015, numri i ankesave krahasuar me tre vitet e fundit është rritur dukshëm, që do të thotë se institucionet në vend se të bëhen më transparente ato vazhdojnë t'i mbajnë larg syve të opinionit informacionet me karakter publik”, thotë Darko Antiq për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, ligji për qasje të lirë deri tek informacionet me karakter publik në Maqedoni është miratuar para dhjetë vitesh, përkatësisht më 28 shtator të vitit 2006.

Në bazë të hulumtimit të realizuar nga Qendra për Komunikim me Qytetarë, del në pah se nga 97 institucionet e monitoruara, vetëm 39 përqind e tyre u janë përgjigjur brenda afatit kohor kërkesave për qasje deri tek ndonjë informatë me karakter publik, përderisa 65 përqind e tyre nuk kanë dhënë asnjë informacion sa i përket raportit financiar për shpenzimin e mjeteve nga arka e shtetit.

Institucionet në Maqedoni janë apostrofuar me kritika të ashpra edhe në raportet e Komisionit Evropian sa i përket mungesës së transparencës. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG