Ndërlidhjet

Kosova, me gjasë, do të duhet të pres anëtarësimin në dy organizatat ndërkombëtare të sigurisë, INTERPOL dhe EUROPOL, për të paktën edhe një vit tjetër, thonë njohës të mirë të rrethanave të sigurisë.

Sipas tyre, anëtarësimi i Kosovës në Interpol, së fundi, është zvarritur edhe për shkak të, siç thuhet, mos saktësimit të afatit kohor për shqyrtimin e kërkesës së saj nga mekanizmat që drejtojnë këtë institucion ndërkombëtar.

Në prillin e vitit të kaluar, Kosova aplikoi për anëtarësim me të drejta të plota në organizatën ndërkombëtare për siguri, INTERPOL.

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se Kosova me mekanizmat e saj të sigurisë është e gatshme për të qenë pjesë e Interpolit dhe po bëhen përpjekje për të arritur këtë synim.

Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme, i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës janë duke zhvilluar aktivitete lobuese që Kosova sa më parë të jetë pjesë e INTERPOLIT dhemekanizmave të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.

"Aplikacioni i Kosovës në Interpol është marrë parasysh nga komiteti ekzekutiv, mirëpo komiteti ka vendosur sikur aplikacionin e Kosovës po ashtu edhe të Ishujve Solomon dhe të Palestinës të mos e fus në agjendë të Asamblesë së Përgjithshme për këtë vit, që do të mbahet në fillim të nëntorit. Ajo do të lihet për një rast tjetër, pasi që komiteti ekzekutiv të çojë misione vlerësimi në këto tri vende që kanë aplikuar, për të parë nëse ato janë të gatshme për anëtarësim”, tha Mjekiqi.

Sipas saj, nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe EUROPOL nuk dëmtohet vetëm Kosova dhe rajoni, por edhe vendet e tjera në Evropë dhe me gjerë.

"Në qasje, në informacione, një shkëmbim i drejtpërdrejt i informacioneve do të ishte kontributi më i madh që anëtarësimi i Kosovës do të jepte. Mirëpo, tash për tash, dëmtohet (Kosova) meqenëse policia nuk mund të shkëmbejë informacione të drejtpërdrejta me INTERPOL-in dhe nuk mund të marrë informata", tha Mjekiqi.

Ndryshe nga INTERPOL-i, anëtarësimi i Kosovës në EUROPOL - një mekanizëm i sigurisë në Evropë - varet nga anëtarësimi i saj në BE, thotë Mjekiqi, duke shtuar se Kosova ka një lloj bashkëpunimi me këtë mekanizëm dhe do që të nënshkruajë me EUROPOL-in një marrëveshje strategjike.

Pavarësisht faktit se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, këtu e 8 vjet më parë, ajo nuk ka arritur të bëhet anëtare e një numri organizatash ndërkombëtare, përfshirë edhe dy mekanizmat e rëndësishëm të sigurisë, që sipas analistëve vendorë,e bën më të vështirë edhe punën e saj në luftimin e krimit të organizuar, krimit tejkufitar dhe mbi të gjitha ekstremizmin e dhunshëm.

Policia e Kosovës, që nga themelimi i saj, ka vendosur bashkëpunim me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in, por shkëmbimi i informatave kryesisht bëhet përmes Zyrës së Administratës së Kombeve të Bashkuara, që ka trashëguar Misionin e OKB-së në Kosovë, pas ristrukturimit të tij.

Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës thotë se institucionet përgjegjëse kanë kryer përgatitjet e nevojshme dhe infrastrukturën e brendshme për anëtarësim në INTERPOL dhe EUROPOL.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Valon Murtezaj, i tha Radios Evropa e Lirë se anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë është në vizionin e fuqizimit të shtetit të Kosovës.

"Kosova plotëson standardet në masën me të madhe, por megjithatë janë edhe disa hapa të cilët duhet të koordinohen mirë, sepse kjo është çështje e votave dhe shpesh herë është e nevojshme që të kesh numrin e duhur të përkrahësve, në forumet vendimmarrëse, për t’u anëtarësuar. Kosova është në rrugë të mirë në këtë drejtim", tha Murtezaj.

Por, për përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me çështje të sigurisë, anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat e sigurisë do të ketë vështirësi për shkak të, siç thonë, ngecjes në fushën e lobimit.

Donika Emini, hulumtuese në Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se është më me rëndësi fushata e lobimit për anëtarësim sesa vetë aplikimi pa një mbështetje.

"Anëtarësimi në INTERPOL nuk është vetëm çështje teknike; është çështje plotësisht politike. Kosova këtu ka stagnuar plotësisht. Deri tani nuk është vërejtur që është bërë ndonjë lëvizje drejt lobimit më të fuqishëm të Kosovës në lidhje me ketë çështje", tha Emini.

Dy institucionet ndërkombëtare të sigurisë, EUROPOL dhe INTERPOL, janë mekanizmat më të rëndësishëm dhe njëra nga detyrat e tyre shtrihet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë në luftimin e krimit, të çdo lloji. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG