Ndërlidhjet

“Kasapi i Kabulit” bëhet shpresë për paqe


Gulbuddin Hekmatyar (Fotografi e vitit 2002)

Gulbuddin Hekmatyar (Fotografi e vitit 2002)

Qindra sulme me raketa në qytet çdo ditë. Të shtëna me armë nëpër rrugë të shkreta. Trupa të copëtuar gjithandej.

Kështu ka qenë Kabuli gjatë luftës shkatërruese civile në vitit 1990 – një konflikt që ka vënë përballë fraksione të muxhahedinëve, ka lënë të vrarë rreth 100,000 njerëz dhe ka rrënuar pjesën më të madhe të qytetit.

Dy dekada më vonë, njëri nga protagonistët e luftës së viteve 1992-96 po rikthehet në qytetin, banorët e të cilit e kanë quajtur “Kasap i Kabulit”. Ai e ka marrë këtë pseudonim për kryerjen e sulmeve me raketa, të cilat kanë vrarë mijëra civilë në zona të banueshme.

Ringjallja publike e Gulbuddin Hekmatyar, terrorist global, i cili jeton në mërgim, ka hapur plagë të vjetra në mes të banorëve të Kabulit.

Për Qeverinë e Afganistanit, marrëveshja për armëpushim me të dhe militantët e tij nga lëvizja Hezb-e Islami shihet si pikë kthese, që mund t’i bindë kryengritësit talibanë të negociojnë marrëveshje për paqe.

Hekmatyar, komandant etnik Pashtu, ka themeluar Hezb-e Islamin në mes të vitit ’70, për të luftuar trupat pushtuese sovjetike. Pas tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe, ai është cilësuar si lider i disa prej forcave më rezistuese të Afganistanit. Më pas, në luftën civile, ai dhe milicia e tij kanë luftuar për kontrollin e Kabulit dhe kanë refuzuar kompromisin, i cili mund të parandalonte gjakderdhjen e madhe në kryeqytet. Që nga pushtimi amerikan dhe krjimi i Qeverisë së Afganistanit, të mbështetur nga OKB-ja, më 2001, ai ka udhëhequr përpjekjet nga jashtë shtetit kundër forcave afgane dhe ndërkombëtare.

Rikthimi i Hekmatyarit është një ilaç i hidhur për t’u gëlltitur për shumë banorë të Kabulit.

“Qielli mbi Kabul ndizej nga raketat. I gjithë qyteti digjej. Njerëzit nuk i harrojnë krimet që ka bërë. Mijëra njerëz janë martirizuar. Vëllai im, Amir Momad, është vrarë. Ai ka qenë 16 vjeç. Secila familje në Kabul është prekur. Si mund të harrojnë ato dhe të falin”, thotë Mohammad Isaq, banor i Kabulit.

Një tjetër banore, Bibi Gul, rrëfen kujtimet e dhimbshme nga jeta nën breshërinë e raketave të Hekmatyarit, duke e cilësuar atë si “periudhën më të errët për Afgansitanin”.

“Raketa binin gjatë ditës dhe gjatë natës. Jetonim në bodrume ose nën ura, për t’u mbrojtur nga raketat. Nuk mund ta falim assesi Hekmatyarin. Forcat e tij kanë torturuar dhe rrëmbyer gra. I kanë detyruar të veshin burka dhe i kanë ndaluar të shkojnë në shkollë ose punë”, thotë Gul.

Ka shqetësime se paqja me një figurë si Hekmatyar mund të sjellë pasoja. Ai mund të bëhet forcë destabilizuese për qeverinë e dobët dhe të ndarë të Afganistanit. Ai më herët ka mbështetur Al Kaidën dhe ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër forcave afgane dhe amerikane. Departamenti amerikan i Shtetit, në vitin 2003, e ka shpallur terrorist global.

Pavarësisht kësaj dhe luftës së tij të vazhdueshme kundër forcave afgane, Kabuli i është afruar Hekmatyarit në vitin 2008, me shpresë për të punuar në marrëveshjen për paqe.

Marrëveshja e nënshkruar më 22 shtator nuk ka gjasa të ketë ndikim të menjëhershëm në situatën e sigurisë në Afganistan. Hezb-e Islami, grupi i dytë kryengritës që operon në Afganistan, pas talibanëve, është përçarë gjithnjë e më shumë viteve të fundit. Pas ndërhyrjes së SHBA-së në vitin 2001, anëtarët e krahut politik të grupit i janë bashkuar qeverisë në Kabul, të mbështetur ndërkombëtarisht, edhe pse pjesa më e madhe e krahut ushtarak, e udhëhequr nga Hekmatyar, ka refuzuar paqen.

Por, marrëveshja me Hekmatyarin është moment i rëndësishëm për presidentin afgan, Ashraf Ghani, i cili deri më tash nuk ka mundur të dëshmojë shumë përpjekjet e tij për t’i dhënë fund kryengritjes 15-vjeçare.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG