Ndërlidhjet

Debati i parë presidencial

  • RFE /RL

Hillary Clinton dhe Donald Trump.

Hillary Clinton dhe Donald Trump.

Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton dhe Donald Trump, zhvillojnë, të hënën, debatin e parë presidencial, i cili, sipas disa vlerësimeve, mund të tërheqë mbi 100 milionë shikues.

Gjasat për fitore, të dy kandidatët i kanë të mëdha. Por, shikuesit nuk do t’i kushtojnë vëmendje vetëm asaj që thonë, por edhe si e thonë dhe si reagojnë ndaj njëri-tjetrit.

Debati do të jetë moment kyç për Trumpin, i cili, në javët e fundit, i është afruar Clintonit në sondazhe.

“Do ta bëjmë Amerikën të fortë përsëri. Do ta bëjmë të sigurt dhe madhështore”, u tha Trump mbështetësve në Florida, në njërin nga shtetet vendimtare.

Clinton duket se e sheh debatin si mundësi për të siguruar mbështetësit e saj se do të ndërtojë një ekonomi më gjithëpërfshirëse.

“Të gjithë ne kemi vlerë. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendin më të madh në botë, ne besojmë se të gjithë lindim të barabartë”, tha Clinton, po ashtu në Florida.

I pari prej tre debateve, i cili tradicionalisht është më i shikuari, vjen në kohën kur ka ndryshuar loja, tha për Zërin e Amerikës analisti Matthew Dallek, nga Universiteti George Washinton.

“Tani, sondazhet janë me rezultat shumë më të ngushtë sesa mendohej, andaj debati do të jetë i rëndësishëm”, tha ai.

Debatet televizive presidenciale kanë nisur në vitin 1960 me Richard Nixonin dhe John Kennedyn. Qysh atëherë, debatet kanë pasur ndikim, por jo të domosdoshëm, në zgjedhjet presidenciale.

Debati i parë do të nisë në orën 21:00, sipas kohës lokale, në kanalin NBC dhe do të moderohet nga Lester Holt. Ai pritet të hapë një varg të gjerë temash, nisur nga siguria kombëtare deri te rritja ekonomike.

E para është aktualizuar shumë këtë muaj, si pasojë e disa sulmeve qe kanë goditur Nju Jorkun, Nju Xhërsin dhe Minesotën.

Asnjëri prej sulmeve nuk ka rezultuar me fatalitet, por ato u kanë shërbyer dy kandidatëve që të ashpërsojnë retorikën kundër njëri-tjetrit.

Clinton tha se rivali i saj republikan, Trump, me gjuhen e tij anti-myslimane, u ka dhënë “ndihmë dhe ngushëllim” terroristëve islamikë.

Trump, në anën tjetër, tha se Clinton mbështet politikën me kufij të hapur, përkundër faktit se qindra migrantë “kanë qenë të implikuar në terrorizëm dhe aktivitete të lidhura me terrorizmin brenda Shteteve të Bashkuara”.

“Debati presidencial është ndër mënyrat e vetme për të ndryshuar rezultatin. Është momenti që ndiqet nga më shumë njerëz”, tha për Zërin e Amerikës Jeremy Mayer, profeson në Universitetin George Mason.

Po sipas tij, të dy kanëdidatët vujanë nga një nivel i lartë i mospëlqimit nga votuesit dhe debati ofron mundësi, por edhe rrezik.

“Ajo çfarë mund të bëjë debati është t’i ofrojë kandidatit një shans të dytë që të krijojë një përshtypje ndryshe ose të çimentiojë përshtypjen negative”, tha Mayer.

Deri në zgjedhjet e nëntorit do të ketë tre debate presidenciale dhe një ndërmjet kandidatëve për nënpresident, demokratit Tim Kaine dhe republikanit Mike Pence.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG