Ndërlidhjet

logo-print

Referendumi në Republikën Sërpska është “jolegal”


Bruksel

Bruksel

Referendumi që është mbajtur të dielën në Republikën Sërpska është jolegal dhe nuk ka asnjë bazë ligjore, sepse Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka pezulluar vendimin për mbajtjen e tij, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

“I inkurajojmë institucionet shtetërore në Bosnje që ta zgjidhin këtë çështje me Republikën Sërpska, brenda kornizës ekzistuese kushtetuese, nëpërmjet dialogut konstruktiv”, tha Kocijançiq për gazetarët në Bruksel.

Në referendumin e së dielës, serbët e Bosnjës kanë votuar me shumicë dërrmuese për të shënuar 9 janarin si festë kombëtare.

Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar këtë datë si diskriminuese për myslimanët dhe kroatët e rajonit, pasi më 9 janar të vitit 1992, serbët kanë shpallur krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës, duke nxitur konflikt etnik.

Bosnja vazhdon të jetë e ndarë në dy entitete: Republika Sërpska dhe Federata Myslimane-Kroate.

“Është e rëndësishme që palët të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim”, tha Kocijançiq.

XS
SM
MD
LG