Ndërlidhjet

Referendumi i serbëve të Bosnjës me ‘efekte lokale’, pa ndikim në Kosovë


Prishtina

Prishtina

Referendumet në Ballkan, sikurse ai i së dielës në Republikën Serbe të Bosnjës, kanë më shumë ‘efekte lokale’ dhe nuk përcillen tek ‘popujt e tjerë të rajonit’, thonë analistët politikë në Kosovë.

Sipas tyre, ndonëse zhvillimet politike në rajon, për shkak të specifikave të caktuara shpesh ndërlidhen me implikime në shtete të ndryshme të Ballkanit, rasti i referendumit në Republikën Serbe, nuk pritet të ketë ndonjë jehonë apo ndikim të veçantë në Kosovë dhe posaçërisht jo në pjesët e banuara me shumicë serbe.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se organizimi i referendumit në Bosnjë e Hercegovinë mund të shikohet si një rast i izoluar, pavarësisht ndërlidhjes që kanë, siç tha, popujt e Ballkanit.

"Vendet e Ballkanit dhe popujt e Ballkanit janë të ndërlidhur shumë mes vete dhe një zhvillim brenda një populli natyrisht ka ndikim edhe te fqinjët dhe te popuj tjetër me të cilët ai popull i caktuar bashkëjeton. Pra, nuk mund të ketë një ndarje fizike mes ndikimit të tyre dhe çdo zhvillim te një palë ndikon edhe të pala tjetër."

"Mirëpo, tek rasti i Referendumit në Bosnjë; unë mendoj se ky është një rast i izoluar sepse kemi të bëjmë me një udhëheqës të çrregullt i cili është Millorad Dodik", tha Muhaxhiri.

Për profesorin e së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, referendumi si ai në Bosnje e Hercegovinë nuk do të duhej të reflektonte efekte për botën që synon demokracinë, të drejtat e njeriut dhe paqen në rajon.

"Të gjitha këto veprime ose iniciativa konsideroj se janë destruktive, janë kundër frymës së integrimit në Bashkimin Evropian dhe unë kam përshtypjen që nuk do të kenë efekte serioze për rajonin, sepse rajoni tashmë qartësisht është i përcaktuar."

"Janë saktësisht të përcaktuar edhe kufijt e shteteve të këtij vendi dhe çfarëdo ideje për të krijuar ose për të organizuar referendume mendoj se do të shkonin në kahje të kundërt dhe si të tilla mendoj se nuk do të duhej të mbështeteshin", tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Mbajtja e referendumit në Republikën Serbe të Bosnjës, sado kundër kushtetues, ka ngjallur interesimin e opinioneve në rajonin e Ballkanit më shumë se sa drojën për shtrirjen e tij e ndikimit të tij në rajon. Artan Muhaxhiri, ndërkohë, ka përjashtuar çdo mundësi që serbët e Kosovës, do të mund të marrin si shembull referendumin në Bosnjë e Hercegovinë, për ndonjë çështje të caktuar.

“Çdo referendum i zhvilluar nga serbët në Kosovë do të ndërlidhej drejtpërdrejtë me Beogradin zyrtar. Prandaj, të gjitha shigjetat e akuzave do të drejtoheshin drejt Vuçiqit dhe qeverisë së tij, gjë që në këtë kohë ai nuk ka llogari ta bëj. Ndërsa, sa i takon ndonjë iniciative vetjake të serbëve të Kosovës, unë nuk besoj se ata mund ta bëjnë një gjë të tillë, sepse është një hap shumë i madh për të cilin ata nuk kanë as fuqi e as vullnet ta bëjnë", tha Muhaxhiri.

Një referendum lokal qe organizuar në vitin 2012, nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës në komunat në veri të vendit, në kundërshtim të pavarësisë së Kosovës, por qe konsideruar si i jashtëligjshëm nga autoritetet e vendit dhe ato ndërkombëtare, si dhe qe cilësuar nga Beogradi zyrtar si i dëmshëm për rrugën evropiane të Serbisë.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Afrim Hoti, nuk përjashton mundësinë që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë qarqe apo grupe të caktuara që synojnë ‘destabilizime’, por thotë se çfarëdo ideje për ‘komplikim të gjendjes’ do të kundërshtohej fuqimisht."

"Duke pasur parasysh që ka ende në rajon qarqe destruktive që nuk shkojnë në drejtimin e duhur çfarë duhet ta ketë rajoni, por synojnë vetëm t'i komplikojnë situatat, mendoj që mund të jenë aktive dhe mund të dalin ide të tilla të cilat normalisht duhet të hedhën menjëherë dhe nuk duhet shqyrtuar", tha Hoti.

Referendumi në Republikën Serbe të Bosnjë e Hercegovinës, për ditën e shtetësisë së këtij entiteti, është cilësuar si kundër kushtetues dhe në shpërputhje me marrëveshjen e Daytonit, që e ka krijuar Republikën Serbe, si njërën nga dy entitetet përbërëse të Bosnjë Hercegovinës.

Sado që ai nuk prek asnjërin prej vendeve të tjera të rajonit, analistët thonë se ai mund të ketë ndikime posaçërisht në procesin e pajtimit ndërmjet njerëzve në Ballkan dhe përgjithësisht në, siç thuhet, ‘drejtësinë tranzicionale’ në rajon. (REL)

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG