Ndërlidhjet

Britania kundërshton krijimin e ushtrisë evropiane

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Britania e Madhe do të kundërshtojë çdo propozim të Bashkimit Evropian për bashkimin e forcave në një ushtri të vetme, megjithëse Franca dhe Gjermania kanë deklaruar se plane të tilla ‘nuk ekzistojnë dhe kanë marrë mbështetjen e NATO-s për një mbrojtje më të fortë për BE-në’, njofton agjencia e lajmeve AP.

Deklarimet e zyrtarëve britanik erdhën në kohën kur ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të BE-së diskutuan të martën në Bratisllavë, në një takim joformal, zbatimin e strategjisë globale të BE-së në fushën e mbrojtjes.

Ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të BE-së duan që ta përgatisin strategjinë e mbrojtjes deri në muajin nëntor, në mënyrë që në dhjetor, Këshilli Evropian të mund ta diskutojë atë.

Por, ministri i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, Micheal Fallon, ka thënë se vendi i tij kundërshton çdo ide për formimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian.

“Ne do të kundërshtojmë çdo ide për krijimin e një ushtrie të Bashkimit Evropian apo të krijimit të një shtabi të ushtrisë së BE-së. Kjo gjë do të minonte NATO-n”, ka deklaruar Fallon, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Britania ka të drejta të plota të votimit, derisa formalisht të dalë nga Bashkimi Evropian. Fallon tha se Suedia, Norvegjia, Polonia, Lituania dhe Latvia gjithashtu kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me propozimin e Gjermanisë dhe Francës.

Por, pretendimet për krijimin e një ushtrie janë mohuar nga zyrtarët e lartë të BE-së dhe NATO-s.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, tha se në takimin jo formal të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së, në Bratisllavë, “bisedat për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes nuk çojnë drejt krijimit të ushtrisë evropiane” .

“Gjatë diskutimit tre orësh në këtë çështje unë nuk kam dëgjuar asnjëherë fjalën bllokim apo fjalën ushtri”, ka deklaruar Mogherini.

“Një Evropë e mbrojtur më mirë e bën NATO-n më të fortë dhe ne po punojmë në këtë drejtim”, ka deklaruar ajo.

Diplomatët evropianë kanë thënë se shtabi ushtarak ishte një aspekt i strategjisë për të cilën do të diskutojnë në dhjetor liderët e BE-së.

Sipas këtij propozimi, do të rriten shpenzimet për misione ushtarake, gjithashtu do të zhvillohen asetet e përbashkëta, si helikopterët dhe dronët, do të zgjerohen misionet paqëruajtëse dhe do të punohet më shumë për luftimin e sulmeve kibernetike që sponsporizohen nga shtetet.

"Synimi nuk është të krijohet ushtria evropiane, por shfrytëzimi i instrumenteve dhe hapësirës të cilat i kemi, siç kemi grupet luftarake dhe opsionet që ende nuk kanë nisur të shfrytëzohen”, tha Mogherini.

Ndërkaq, sekretari i Përgjtihshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke iu përgjigjur komenteve të ministrit britanik Fallon, ka thënë plani i BE-së për të forcuar bashkëpunimin e mbrojtjes, pas daljes së Britanisë nga blloku nuk do të minojë NATO-n.

“Nuk ka kontradita në mes të mbrojtjes më të fortë të Evropës dhe NATO-s së fortë. Në fakt këto të dyja do të forconin njëra-tjetrën”, tha Stoltenberg para takimit në Bratisllavë të Sllovakisë, njofton AFP.

“E rëndësishme është që të shmanget dyfishimi”, tha tutje Stoltenberg.

Shefi i NATO-s ka shtuar se qeveritë e BE-së duhet të shpenzojnë më shumë sa i përket mbrojtjes. Me Britaninë jashtë BE-së, 80 për qind e shpenzimeve të NATO-s do të sigurohen nga vendet që nuk janë në BE, edhe pse shumica e anëtarëve të Bllokut janë pjesë e aleancës, tha Stoltenberg.

Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Ursula von der Leyen dhe homologu i saj francez Jean-Yves Le Drain kanë deklaruar se nuk kanë plane që të krijojnë një ushtri evropiane.

“Ky nuk është hap drejt krijimit të ushtrisë evropiane, por është e kundërta”, tha ministrja von der Leyen. “Kjo ka të bëjë me ndërlidhjen e pikave të forta të vendeve të ndryshme evropiane, në mënyrë që të jenë të gatshme të reagojnë shpejt”, u shpreh ajo, raporton Reuters.

Ky “bashkim në mbrojtje” ka mbështetjen në Francë dhe Gjermani. Ndërkaq, Çekia muajin e kaluar ka kërkuar që të krijohet një ushtri evropiane.

Ndërkohë, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, shumë herë ka tërhequr vërejtjen se “Sllovakia do të refuzojë fuqishëm ushtrinë evropiane nëse ajo do të përbënte”, siç thotë, “një vringëllimë me armë për t’u frikësuar Rusia”.

Lidhur me idenë e “bashkimit në mbrojtje” të vendeve të BE-së skeptike janë edhe vendet baltike. (REL)

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG