Ndërlidhjet

logo-print

Frika nga terri mban në jetë Termocentralin “Kosova A”


Termocentrali 'Kosova A' në Obiliq

Termocentrali 'Kosova A' në Obiliq

Termocentrali “ Kosova A”, i cili aktualisht mbulon një të tretën e gjithë konsumit vendor, sipas zotimeve të Qeverisë së Kosovës do të duhej të mbyllej deri në fund të vitit të ardhshëm.

Ky termocentral bën pjesë në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ishte quajtur si një “dinosaur” qysh nga koha e pas luftës.

Si një termocentral i vjetër dhe ndotës i ambientit, ai ishte përfshirë në prioritetet për mbyllje.

Kështu të paktën kishte premtuar Qeveria e Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të zbatimit të standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

Por, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës thonë se nuk kanë marrë ndonjë vendim nga Qeveria e Kosovës për të mbyllur këtë termocentral.

Edmond Nulleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke mos dhënë ndonjë përgjigjeje të drejtpërdrejtë rreth mbylljes së këtij termocentrali, ka thënë se në vitet në vijim mund të ketë mungesë të energjisë elektrike, nëse ky termocentral nuk do të funksiononte.

“Termocentrali “ Kosova A” mbulon rreth 35 për qind të tërë konsumit vendor. Dhe, deri sa nuk kemi ndonjë vendim rreth finalizimit të ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese, ky fakt do të mbetet evident. Do të thotë, nevoja e prodhimit nga “Kosova A” do të rritet brenda dy vitesh, për shkak se në atë kohë pritet që edhe termocentrali “ Kosova B” të shkojë në revitalizim mjedisor”, ka thënë Nulleshi .

Në Strategjinë e Energjisë në Republikën e Kosovës për vitet 2016- 2025, publikuar ditë më parë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, përmendet vazhdimi i punës së Termocentralit “Kosova A” deri në hyrjen në punë të Termocentralit “Kosova e Re”, duke supozuar, siç thuhet, se Kosova do të arrijë të negociojë shtyrjen e detyrimeve sa i përket kufizimit të orëve të punës së termocentraleve të vjetra, për shkak të rrezikut të madh të sigurisë së furnizimit.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se ky termocentral duhet të mbyllet, pavarësisht investimeve që janë bërë.

Visar Azemi, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji , KOSID, për Radion Evropa e Lirë thotë se po mungon vullneti politik që të mbyllet së funksionuari ky termocentral, pasi mbyllja e tij po lidhet më ndërtimin e Termocentralit, “Kosova e Re”.

“Në fakt ato që po ndodhin deri më tani janë investimet e reja që po i dëshirojnë Qeveria e Kosovës dhe KEK-u, për të aktualizuar më tutje. Dhe jo të kundërtën që të fillojë me dekomisionimin e atyre pjesëve që janë jashtë funksionit dhe që do të ishte në hap më marrëveshjen e arritur”, ka thënë Azemi.

Ndërtimi Termocentralit “Kosova e Re” vazhdimisht është vlerësuar se do të stabilizonte furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Përgatitjet për këtë projekt kanë filluar para një dekade, kurse pritjet për fillimin e ndërtimit kanë qenë gjatë këtij viti.

Në anën tjetër, sipas disa studimeve të organizatave joqeveritare që merren më këtë çështje, nuk vlerësohet problem kompensimi i energjisë së prodhuar nga termocentrali “ Kosova A”.

Visar Azemi, nga KOSID, thotë se kapacitet e reja të burimeve të ripërtritshme të energjisë do të zëvendësonin mungesën eventuale të energjisë elektrike.

“Nëse Kosova do të investonte në masat e efiçencës së energjisë, kjo humbje e energjisë nga Termocentrali “Kosova A” do të jetë shumë pak relevante”.

“Për më tepër, kapacitet e reja të burimeve të ripërtrishme të energjisë do të lehtësonin këtë përballueshmëri dhe këtë ngërç potencial nëse kjo do të ndodhte. Por, nuk është e vërtetë, pasi e gjithë ajo do të mbulohet me uljen e konsumit dhe me shtimin e kapaciteteve të energjisë”, thotë Azemi.

Sidoqoftë, përveç mungesës eventuale të energjisë elektrike nga mbyllja e këtij termocentrali, deri në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, shqetësues mbetet numri i punëtorëve që do të mbesin pa punë, e që llogaritet të jenë mbi 1500 veta. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG