Ndërlidhjet

AI: Dyshime se Rusia ka kryer krime lufte në Siri, por duhen prova

  • RFE /RL

Alepo, Siri, 23 shtator 2016

Alepo, Siri, 23 shtator 2016

Ministri i jashtëm britanik, Boris Johnson, thotë se Rusia “mund të ketë” kryer krime të luftës, duke e shënjestruar qëllimshëm konvojin civil më 19 shtator me sulme ajrore, në pjesët e qytetit Alepo në Siri, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Rusia e ka hedhur poshtë involvimin, duke pretenduar se kryengritësit, që luftojnë kundër presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që është aleat i Rusisë, ose droni amerikan, janë përgjegjës për sulme.

Njëherësh, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Stefan de Mistura, thotë se forcat e Assadit, me gjasë, kanë kryer krime lufte, duke i marrë disa herë në shënjestër civilët në Alepo, pas shkatërrimit të armëpushumit të ndjeshëm më 19 shtator.

Ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault, thotë se bile nëse aleatët e Assadit, Rusia dhe Irani, nuk i kanë shënjestruar me qëllim civilët, ata “do të jenë bashkëfajtorë në krime të luftës të kryera në Alepo”, nëse nuk do t’i bëjnë presion qeverisë së Sirisë, që ta ndalë këtë strategji.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, thotë se ka dokumentuar shumë raste të krimeve të luftës së qeverisë së Siri, përfshirë torturën dhe atë që cilësohet si “sulme të qëllimshme” kundër spitaleve, hapësirave ku banojnë civilët, dhe caqeve të tjera civile.

Por, Avner Gidron, ekspert i lartë juridik në Amnesty International, thotë se është vështirë për ta përcaktuar definitivisht ndonjë sulm specifik që përbën krim lufte, që është kryer nga forcat ruse.

Eksperti Gidron, po ashtu, i tha Radios Evropa e Lirë se komplikimet për jurdiksionin e gjykatës dhe statusi i luftës në Siri, si konflikt i armatosur jo-ndërkombëtar, e bën të vështirë se do të ketë procese eventuale në një të ardhme të konsiderueshme për krime të luftës, të kryera nga Rusia apo qeveria e Sirisë.

“Krimet e luftës janë kryer në Siri nga të gjitha palët siriane. Pjesa më e madhe janë kryer nga forcat e armatosura të qeverisë siriane dhe milicitë ndihmëse, dhe kjo vazhdon në shkallë të gjërë. Nuk ka dyshim se pjesa më e madhe janë kryer nga qeveria e Sirisë. Mund të fillohet me gjërat që i kanë bërë për t’i zënë njerëzit."

"Nuk kemi të bëjmë vetëm me zënien e luftëtarëve kundërshtarë. Kemi të bëjmë me mbrojtës të të drejtave të njeriut, gazetarë, njerëz të dyshuar se kanë simpati politike për opozitën, qoftë në baza të etnicitetit ose religjionit të tyre, pra lidhjes së tyre politike të perceptuar. Ne kemi dokumentuar se mijëra prej këtyre njerëzve janë torturuar, u janë nënshtruar zhdukjeve me forcë dhe vrarë në burg. Vetëm tortura, që ata e kanë kryer, ishte e shkallës së gjërë”, thotë Avner Gidron.

Mëtutje, Radio Evropa e Lirë e ka pyetur këtë ekspert se si mund të kualifikohen sulmet ajrore më 19 shtator, nga të cilat ishte raportuar se janë vrarë më se 230 civilë, në pjesët e Alepos të kontrolluara nga kryengritësit dhe çfarë provash janë të domosdoshme në konfliktin e armatosur jo-ndërkombëtar, sikur lufta në Siri, në mënyrë që këto sulme të definohen si krime të luftës, sipas së drejtës ndërkombëtare?

“Definitivisht është shumë qartë e definuar si krim lufte në konfliktet e armatosura jo-ndërkombëtare, kur një palë me qëllim dhe direkt i ka sulmuar civilët ose objektet civile. Po ashtu, krim lufte është edhe kur sulmet janë gjithnjë joproporcionale. Janë joproporcionale kur parashihet se dëmi ndaj civilëve do të jetë më i madh se avantazhi i parashikuar ushtarak gjatë neutralizimit të cakut ushtarak”, thotë Avner Gidron.

Mëtutje, ai thekson se organizata Amnesty International “nuk e përjashton mundësinë se Rusia në mënyrë direkte ka kryer krime të luftës në Siri, po ashtu” dhe shton se “ne nuk kemi qenë në gjendje që përfundimisht të themi se një sulm i veçantë, që duket se është krim lufte, është kryer nga Rusia”.

Avner Gidron, ekspert i lartë juridik në Amnesty International, për proceset e mundshme gjyqësore lidhur me krimet e eventuale të luftës në Siri, thekson:

“Për këto krime të dyshuara të luftës nga vetë Siria apo Rusia, nuk ka juridiksion në Siri për Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC). Siria nuk është pjesë e kësaj gjykate. Rusia, po ashtu, nuk është pjesë e saj. Por, mund të kemi juridiksion të ICC-së me referimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara."

"Për këtë gjë, Amnesty International ka bërë thirrje tash e pesë vite, por, për shkak të politikës së fuqisë dhe vetos së anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kjo nuk ka ndodhur. Rusia kurrë nuk do të votojë për këtë”, thotë Avner Gidron. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG