Ndërlidhjet

logo-print

Ukrainë: Shënohet masakra kundër mijëra hebrenjëve


Pjesëmarrës të ceremonisë së përkujtimit Babi Yar në Ukrainë

Pjesëmarrës të ceremonisë së përkujtimit Babi Yar në Ukrainë

Në Ukrainë po shënohet 75 vjetori i masakrës së periudhës së Luftës së Dytë Botërore, të 33,771 hebrenjëve në periferi të qytetit Kiev, të okupuar nga nazistët.

Vrasja e meshkujve, grave dhe fëmijëve hebrenjë, më 29 dhe 30 shtator të vitit 1941, në luginën Babi Yar, ishte një shembull i hershëm i vrasjeve në shkallë të gjërë, që do të kryheshin nga nazistët në synimin e tyre për asgjësimin e hebrenjëve.

Gjithsej, deri në 100 mijë njerëz ishin ekzekutuar atje gjatë luftës.

“Atje ka pasur hebrenjë, romë, të burgosur sovjetikë të luftës dhe luftëtarë të lëvizjes çlirimtare të Ukrainës, në mesin e këtyre të ekzekutuarve nga njësitet e pushkatimit”, ka shkruar kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman, në rrjetin Facebook, dhe ka shtuar se “ne e përkujtojmë secilin prej tyre”.

Planifikohej që presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, të merrte pjesë në ceremoninë e përkujtimit, që udhëhiqet nga presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, sot më vonë gjatë mbrëmjes, por për shkak të vdekjes së ish-presidentit izraelit, Shimon Peres, ai e ndërpreu qëndrimin në Kiev.

Pardje, presidenti Rivlin u tha ligjvënësve të Ukrainës se “shumë prej krimeve ishin kryer nga ukrainasit”, veçanërisht nga pjesëtarët e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase, që ishte strukturë paramilitare, gjatë Holokaustit, ku nga Gjermania Naziste janë vrarësistematikisht afro 6 milionë hebrenjë në gjithë Evropën.

XS
SM
MD
LG