Ndërlidhjet

Ç’pasoja mund të ketë Rusia për Alepon dhe MH17-ën?

  • RFE /RL

Sekretari i Shtetit John Kerry (majtas) dhe ministri jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Sekretari i Shtetit John Kerry (majtas) dhe ministri jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Autor: Steve Gutterman

Në aspektin e reputacionit, Rusia ka pasur njërën nga javët më të këqija. Shtetet e Bashkuara, të zemëruara se Moska po kryen sulme “barbare” në Alepo, kanë kërcënuar se do të ndalojnë gjithë bashkëpunimin me Kremlinin në çështjen e Sirisë.

Një hetim ndërkombëtar po ashtu ka konstatuar se një sistem raketor i Rusisë, i kontrabanduar në territorin e kontrolluar nga separatistët në Ukrainë dhe më pas i kthyer sërish përtej kufirit, ka rrëzuar aeroplanin e kompanisë "Malaysia Airlines" në vitin 2014, duke vrarë të 298 njerëzit në bord.

Por, cilat janë pasojat e mundshme për Rusinë, afatshkurtra dhe afatgjata?

Presidenti rus, Vladimir Putin, për kohë të gjatë ka bërë përpjekje të krijojë një front të përbashkët me Shtetet e Bashkuara kundër terrorizimit, duke e shfaqur vendin e tij si partner të domosdoshëm, metodat e të cilit nuk duhet të vihen në pikëpyetje nga Uashingtoni.

Kjo ëndërr, e cila daton nga lufta e Putinit në Çeçeni më 1999-2000, është dukur shumë pranë realizimit kur Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, kanë arritur në shtator marrëveshje për armëpushim në Siri dhe për të punuar së bashku kundër grupeve terroriste.

Por, tani, ky partneritet nuk duket se ka gjasa. Kerry ka thënë më 29 shtator se SHBA-ja është në prag të pezullimit të diskutimeve me Rusinë për Sirinë, sepse “ato janë të paarsyeshme në kontekst të bombardimeve që po ndodhin”.

Kerry po ashtu ka thënë se sulmet e vazhdueshme në Alepo mund të llogariten si krime lufte, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka thënë të njëjtën gjë për bombardimin e dy spitaleve, po ashtu në Alepo.

Pas këtyre deklaratave, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka kërkuar një “hetim të paanshëm” të sulmeve të fundit të SHBA-së në Afganistan, që thuhet se kanë vrarë disa civilë.

Provat për përfshirjen e Rusisë në tragjedinë e fluturimit malajzian, MH17, kanë nxitur thirrjet që Moska të përballet me hetime formale për krime lufte.

Rruga për një ndjekje të tillë do të ishte e gjatë dhe me pengesa. Rusia ka përdorur pushtetin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të bllokuar krijimin e një tribunali ndërkombëtar për të gjykuar ndonjë të dyshuar dhe ka kaluar një ligj që thotë se legjislacioni i saj ka përparësi mbi vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Por, organizata "Human Rights Watch" ka thënë se Rusia mund të përballet me akuza nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime ose nga gjykatat e vendeve individuale.

Rezultatet e hetimeve të tragjedisë ajrore dhe bombardimet në Alepo duket se do të zvogëlojnë shanset që presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, qoftë Hillary Clinton apo Donald Trump, të kërkojë përafrim të shpejtë me Rusinë.

Trump ka qenë më paqësor se Clintoni ndaj Kremlinit, por kandidati fitues ka gjasa të përballet me presionin e Kongresit për të qenë i kujdesshëm ndaj qëllimeve të Rusisë.

Megjithatë, Putin, i cili pritet të garojë për mandat të ri presidencial në vitin 2018, mund të besojë se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, në fund të fundit, do t’i zbusin marrëdhëniet me Rusinë, ashtu siç ka bërë presidenti amerikan, Barack Obama, në mandatin e parë, rreth një vit pasi forcat ruse kanë pushtuar Gjeorgjinë, më 2008.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG