Ndërlidhjet

Shtatë inspektorë për 1.800 institucione shëndetësore


Klinikë në QKUK
Klinikë në QKUK

Në Kosovë janë 1200 institucione private shëndetësore, derisa 600 janë institucione publike shëndetësore, dhe për të gjitha këto institucione shëndetësore, ka vetëm shtatë inspektorë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Shaban Osmanaj, inspektor në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këtë numër të inspektorëve, këto institucione shëndetësore mund të inspektohen vetëm një herë në katër vjet.

“Efektin e inspektorëve mund ta imagjinoni. Por, nëse bëhet krahasimi nga viti 2006, kur ka dalë Ligji për licencimin e institucioneve shëndetësore private, ka rritje të vetëdijesimit rreth licencimit të institucioneve, por edhe të ripërtëritjes së licencës, pasi ato janë të vlefshme vetëm 5 vjet. Më pas duhet që institucioneve t’u bëhet rivlerësimi i kushteve për ripërtëritje të licencës. Në bazë të të dhënave, deri tash mund të bëhen gjithsej maksimumi 600 inspektime në vit. Përveç inspektimit, bëhen edhe riinspektimi ku përpilohet raporti që të përmirësohen kushtet, në rast nevoje”, thotë Osmanaj.

Ndonëse për çdo vit kërkohet rritje e numrit të inspektorëve, një gjë e tillë nuk ndodh për shkak të mungesës së buxhetit. Ministria e Shëndetësisë së voni ka theksuar se ka pasur shkurtime në buxhetin e saj dhe ministri Imet Rrahmani thotë t’i jetë kërkuar Qeverisë shtim i buxhetit për të përmbushur nevojat në fushën e shëndetësisë.

Por, Shaban Osmanaj thotë se numri i inspektorëve ndër vite edhe është zvogëluar:

“Çdo fundvit kërkohet rritje e numrit të inspektorëve dhe kanë premtuar që deri në vitin 2018, edhe 30 inspektorë të rinj do të punësohen. Por duhet cekur se ka pasur edhe ikje nga Inspektorati, për shkak të kushteve të pafavorshme”.

Përveç problemeve me numrin e inspektorëve të shëndetësisë, gjendja në institucionet publike shëndetësore, thonë zyrtarët, është aspak e kënaqshme.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, për Radion Evropa e Lirë thotë se kushtet higjienike-sanitare janë në një nivel të ulët, sidomos në QKUK.

Gjendja e kushteve higjienike-sanitare e objekteve shëndetësore në institucioneve publike, është në kuadër të minimumit të normave të përcaktuara, por për shkak se objektet janë tepër të vjetra dhe nevojitet të rregullohen në aspektin tekniko-sanitar, dhe më pas kushtet higjienike- sanitare, kjo na pengon të kryejmë veprimtarinë si duhet. Krijimi i infrastrukturës ndikon direkt në nivelin e higjienës”, thotë Tërshnjaku.

Tërshnjaku shton se inspektimet e fundit që janë kryer në QKUK, qendër terciare, si qendër referente për tërë Kosovën, tregojnë se gjendja, siç thotë, lë për të dëshiruar.

“Ne kemi kryer inspektimin në nivelin terciar, dhe kushtet higjienike- sanitare janë me mangësi dhe probleme. Por, problemi qëndron në udhëheqësinë e klinikave, ku duhet ta menaxhojnë çështjen e vizitorëve, pasi e pamundësojnë nivelin e higjienës”, konsideron Tërshnjaku.

Në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, janë të licencuara rreth 1200 institucione private shëndetësore, përfshirë këtu kabinete, laboratorë, ordinanca, qendra për mjekësi familjare, qendra terapeutike, poliklinika dhe spitale.

Përveç këtij numri të institucioneve private të licencuara, ka edhe të tjera që funksionojnë pa licencë. Ministria thotë se vetëm vitin e kaluar janë mbyllur 11 institucione private shëndetësore.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG